Betohet kryeministri i ri i Kanadasë Mark Carney - Qeveria e re thuajse si Trudeau 3
- Published in Kanada

Pas më shumë se nëntë vjet në pushtet, u mbyll sot (14.03.) në Ottawa kapitulli i Justin Trudeau. Pas dorëheqjes së këtij të fundit në mëgjes, në Rideau-Hall para Guvernatores së Përgjithshme Mary Simon është betuar si kryeministër i ri i Kanadasë Mark Carney, i zgjedhur më 9 mars kryetar i Partisë Liberale. Po sot, kryeministri i 24-t dhe i pamandatuar nga zgjedhje të përgjithshme, prezantoi Këshillin e tij të Ministrave, të 30-tin në historinë e Kanadasë, i cili është më i vogël se ai i Justin Trudeau, me 23 anëtarë në vend të 37. Disa nga ministrat me rol qendror në menaxhimin e betejës tarifore me fqinjin jugor do t’i mbajnë sërish postet e tyre. Kështu është rasti i ministres së Punëve të Jashtme, Mélanie Joly, e cila u betua nga distanca, pasi ndodhej në Charlevoix, ku po mbahej një takim ministror i G7. Ministri Dominic LeBlanc bëhet ministër i Tregtisë Ndërkombëtare, duke mbajtur njëkohësisht edhe portofolin e Punëve Ndërqeveritare, ndërsa François-Philippe Champagne e pason atë në Ministrinë e Financave.
Tre fytyra të reja hyjnë në kabinet: Arielle Kayabaga (lidere e qeverisë në Dhomën e Komunave dhe ministre e Institucioneve Demokratike), Kody Blois (ministër i Bujqësisë, Agro-ushqimit dhe Zhvillimit Ekonomik Rural) dhe Ali Ehsassi (ministër i Transformimit të Qeverisë, Shërbimeve Publike dhe Prokurimeve). Ministria e Transformimit të Qeverisë është një dikaster i ri i krijuar, pas premtimit të Carney për një menaxhim më efikas të çështjeve qeveritare gjatë fushatës së tij për lidershipin liberal. Një tjetër ministri, ajo e Gjuhëve Zyrtare, i lë vendin Ministrisë së Kulturës dhe Identitetit Kanadez, që do të drejtohet nga Steven Guilbeault. Ky ish-aktivist mjedisor humbi postin e tij si ministër i Mjedisit, pasi emri i tij lidhet ngushtë me taksën e karbonit, një nga politikat me të proklamuara nga Liberalët vitet e fundit.
Kabineti Carney shënon gjithashtu rikthimin e Chrystia Freeland, ish-rivale e tij për drejtimin e Partisë Liberale dhe ish-ministre e Financave, dorëheqja e së cilës në dhjetor shkaktoi rënien e Justin Trudeau. Ajo bëhet ministre e Transportit dhe Tregtisë së Brendshme. Carney dhe Freeland janë gjithsesi të lidhur privatisht, sepse kryeministri i ri është kumbari i djalit të ministres së re të Transportit.
Mandati i qeverisë Carney do të jetë i shkurtër, pasi zgjedhjet e parakohshme federale mund të zhvillohen brenda pak javësh. Duke mos qenë kurrë i zgjedhur më pare dhe me zero eksperiencë politike, ish-guvernatori i Bankës Qendrore dhe ish-këshilltari ekonomik i Trudeau, synon të legjitimohet me një proces të ri zgjedhor në pranverë dhe përflitet se ai do t’i kërkojë guvernatores së përgjithshme Mary Simon të shpërndajë Dhomën e Komunave para rikthimit të punimeve parlamentare më 24 mars. Megjithatë, në deklarimet e sotme Carney nuk pranoi të saktësonte nëse planifikon të shpallë zgjedhje së shpejti. Ai gjithashtu nuk konfirmoi në cilën zonë elektorale do të kandidojë, duke qenë se ka lindur në Territoret e Veriut, por është rritur në Alberta.
Kujtojmë se Parlamenti u pezullua me kërkesë të Justin Trudeau, kur ky i fundit njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqjen nga posti i liderit liberal dhe kryeministrit 6 janarin e kaluar. Me aktin e pezullimit Trudeau arriti të shmangë rrëzimin e qeverisë së tij në pakicë, pasi të gjitha partitë opozitare kishin premtuar që do ta largonin me një votë mosbesimi në Parlament sapo t’u jepej mundësia e parë.
Kryeministri i ri ka larguar nga kabineti disa ministra, përfshirë Karina Gould, Ahmed Hussen, Arif Virani, Jean-Yves Duclos, Diane Lebouthillier, Mark Holland dhe Marc Miller. Me gjithsej gjashtëmbëdhjetë ministra që humbën postet e tyre, parashikohet se do të ketë pakënaqësi brenda radhëve liberale në ditët në vijim. Carney nuk ka pasur ende kohë të krijojë marrëdhënie të forta me grupin e tij parlamentar dhe ardhja e fushatës zgjedhore nuk do t’i japë mundësinë që të kalojë më shumë kohë me deputetët dhe ministrat në Ottawa për t’i njohur më mirë.
Sipas shumë komentatorëve pro Liberalë, Mark Carney nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të krijonte pakënaqësi. Ai duhej të sillte diçka të re. Po a sillet diçka e re me figura të vjetra? Kur sheh foton e kabinetit të ri konstaton se thuajse janë të njëjtat fytyra që ishin me Justin Trudeau.
Përbërja e qeverisë Carney:
- Dominic LeBlanc, ministër i Tregtisë Ndërkombëtare dhe Çështjeve Ndërqeveritare dhe kryetar i Këshillit Privat të Mbretit për Kanadanë;
- Mélanie Joly, ministre e Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar;
- François-Philippe Champagne, ministër i Financave;
- Anita Anand, ministre e Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë;
- Bill Blair, ministër i Mbrojtjes Kombëtare;
- Patty Hajdu, ministre e Shërbimeve për Popullsinë Autoktone;
- Jonathan Wilkinson, ministër i Energjisë dhe Burimeve Natyrore;
- Ginette Petitpas Taylor, presidente e Këshillit të Thesarit;
- Steven Guilbeault, ministër i Kulturës dhe Identitetit Kanadez, Parqeve të Kanadasë dhe lejtnant i Kebekut;
- Chrystia Freeland, ministre e Transportit dhe Tregtisë së Brendshme;
- Kamal Khera, ministre e Shëndetësisë;
- Gary Anandasangaree, ministër i Drejtësisë dhe Prokuror i Përgjithshëm i Kanadasë, si dhe ministër i Marrëdhënieve të Kurorës me Popullsinë Autoktone dhe i Çështjeve të Veriut;
- Rechie Valdez, shefe e displinës parlamentare;
- Steven MacKinnon, ministër i Punësimit dhe Familjeve;
- David J. McGuinty, ministër i Sigurisë Publike dhe Mbrojtjes Civile;
- Terry Duguid, ministër i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike;
- Nate Erskine-Smith, ministër i Strehimit, Infrastrukturës dhe Komuniteteve;
- Rachel Bendayan, ministre e Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë;
- Élisabeth Brière, ministre e Veteranëve dhe përgjegjëse për Agjencinë e të Ardhurave të Kanadasë;
- Joanne Thompson, ministre e Peshkimit, Oqeaneve dhe Rojes Bregdetare Kanadeze;
- Arielle Kayabaga, lidere e qeverisë në Dhomën e Komunave dhe ministre e Institucioneve Demokratike;
- Kody Blois, ministër i Bujqësisë, Agro-ushqimit dhe Zhvillimit Ekonomik Rural;
- Ali Ehsassi, ministër i Transformimit të Qeverisë, Shërbimeve Publike dhe Furnizimeve.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: La Presse canadienne/Sean Kilpatrick