Letërsi

Poezia dhe Poeti - Nga Vangjush Ziko

Etyd

Sa herë marrim në dorë një krijim poetik, lindin disa pyetje të veshura me mister: ç'është Frymëzimi? ç'është Krijimi? ç'është Poezia? Dhe, patjetër, ç'është Poeti?

Libri “Gjeneza” na thotë: “Përpara se të krijohej jeta mbi tokë, shpirti i Perëndisë sillej mbi sipëfaqen e ujrave të turbulluara”.

Kështu sillet edhe Frymëzimi në shpirtin e trazuar të poetit përpara se të marrë jetë poezia.

Është, pikërisht, shkëndija e Frymëzimit, ajo dritë dhe ai zjarr i brendshëm, që e pushton qenien e poetit dhe ndez flakën e krijimit.

Procesi i Krijimit është ekstazë dhe personifikim material i ndjenjave dhe mendimeve të padukshme, i përjetimeve të përditshme dhe i ëndrrave të strukura në shpirtin e poetit. Krijimi është një shpërthim dhe përkushtim për të krijuar një realitet të ri (që njeriu i zakonshëm nuk e shikon) sipas përmasave dhe shijeve të vetë krijuesit, që shfaqet në letër, botohet në libër dhe shkon te lexuesi.

Poezia për Poetët është një shfaqje sa e natyrshme, po aq edhe spontane, gati fiziologjike; ajo është një institucion i shprehjes, i materializimit linguistik të mendimeve dhe ndjenjave të Poetit. Ashtu si e vërteta e krijimit të universit është e pakapshme nga arsyeja njerëzore, edhe mjeshtëria e Poetit vishet nga mjegulla mistike e Krijimit edhe për vetë Poetin.

Ndërgjegjen e tij e shpon gjembi i merakut për hallet dhe cenet e botës, e kalamend ëndrra për t'i lehtësuar dhe ndrequr ato, për ta ribërë botën, për të ndezur dëshirën për liri dhe prosperitet njerëzor.

Poeti është, në radhë të parë, është njeri si gjithë qeniet e tjera njerëzore.

Shumë kujt mund t'i duket i barabartë, në mos inferior. Një njeriu të pushtetshëm ekonomikisht, mund t'i duket varfanjak; një politikani mendjemadh mund t' i duket i parëndësishëm; një filistini i duket, pa diskutim, një specie pa vlerë, një qenie e kotë. Është shkëndia e frymëzimit që e bën atë një magjistar, që rizbulon dhe rikrijon botën.

Duke e perifrazuar shprehjen e nobelistit Josif Brodcki për poeten e madhe lirike ruse, Anna Ahmatovën, do shtoja: “Poeti i vërtetë rigjen gjuhën e ligjërimit në universin shurdhmemec”.

© Vangjush Ziko - Toronto