Kanada

Çfarë dihet deri tani për aksidentin e avionit në aeroportin Pearson të Torontos

  • Published in Kanada

Kompania ajrore Delta njoftoi se 19 nga 21 pasagjerët e plagosur pas një aksidenti të ndodhur të hënën (17.02) pasdite në aeroportin Pearson të Torontos kanë dalë nga spitali dhe për fat të mirë, nuk pati viktima. Ja çfarë dihet deri tani për aksidentin e fluturimit me numër 4819, i nisur nga Minneapolis, Shtetet e Bashkuara.

Sa persona ishin në bord?

Në bordin e avionit Mitsubishi CRJ-900LR, prodhim i Bombardier (Québec) ndodheshin 76 pasagjerë, përfshirë 22 kanadezë, dhe 4 anëtarë të ekuipazhit (dy pilotë dhe 2 stjuardesa). Të gjithë mundën të dilnin nga avioni, edhe pse ai u përmbys pasi preku pistën e aeroportit. “Duhet t’u jemi mirënjohës zjarrfikësve të aeroportit Pearson, pilotëve dhe prodhuesit të avionit”, u shpreh për CBC John Gradek, profesor në Universitetin McGill në Montreal, ndërsa sipas David McNair, ish-hetues pranë Autoritetit të Sigurisë së Transportit të Kanadasë (BST), “të rrokullisesh brenda avionit, edhe pse është e pakëndshme dhe e frikshme, është më pak e rrezikshme se një përplasje e drejtpërdrejtë”.

Si është gjendja e të plagosurve?

Në një deklaratë, Delta njoftoit se 19 pasagjerë janë autorizuar të dalin nga spitali. Kompania nuk dha detaje mbi gjendjen e të tjerëve që mbeten të shtruar. “Prioriteti ynë më urgjent mbetet kujdesi për të gjithë klientët dhe anëtarët e ekuipazhit të prekur nga aksidenti”, u shpreh Ed Bastian, CEO i Delta-s. Të hënën (17.02), autoritetet fillimisht raportuan për 18 të plagosur, përfshirë 3 në gjendje kritike, një fëmijë, një burrë rreth të 60-ve dhe një grua rreth të 40-ve, ndërsa më pas u përmend shifra 21.

Cili mund të jetë shkaku i aksidentit?

Shkaku mbetet i panjohur për momentin. “Pas impaktit fillestar, disa pjesë të avionit u shkëputën dhe një nga motorrët u përfshi nga zjarri. Ne kemi marrë regjistruesin e kabinës së pilotëve dhe regjistruesin e të dhënave të fluturimit. Këto pajisje janë dërguar në laboratorin e inxhinierisë në Ottawa për analiza.”, pohoi përmes një deklarate dje pasdite (18.02) Jean-Pierre Régnier, hetues pranë Autoritetit të Sigurisë së Transportit të Kanadasë. Sipas CEO-së së aeroportit Pearson, Deborah Flint, njëzet hetues kanë shkuar në vendngjarje që nga mëngjesi i djeshëm, (18.02) ndërsa kompania Delta ka premtuar bashkëpunim të plotë me hetimin. Hetuesit do të këqyrin avionin në pistë gjatë 48 orëve të ardhshme. Agjencia amerikane e sigurisë së transportit (NTSB) ka deklaruar edhe ajo se do të ndihmojë në hetime. Profesori Gradek nga McGill parashikon një raport paraprak të hetimeve brenda 30 ditëve, pasi ekuipazhi mund të ofrojë informacione shtesë përveç të dhënave të kutisë së zezë.

Deborah Flint

Cilat ishin kushtet atmosferike?

Todd Aitken, shefi i zjarrfikësve të Autoritetit të Aeroportit Metropolitan të Torontos (GTAA), deklaroi të hënën në mbrëmje (17.02) se pista e uljes ishte e thatë dhe nuk kishte erëra anësore në momentin e rrëzimit. Megjithatë, të hënën në zonë u regjistruan erëra me shpejtësi mbi 60 km/h. Për më tepër, sipas një regjistrimi të kullës së kontrollit të cituar nga The Canadian Press, pilotët e fluturimit Delta ishin paralajmëruar për një rritje të mundshme të fluksit të ajrit për shkak të një avioni përpara tyre.

Si është situata në aeroportin Pearson?

Menjëherë pas aksidentit, shumë avionë që do të uleshin në aeroportin Pearson u devijuan në aeroportet e Hamiltonit dhe Montrealit. Operacionet rifilluan në orën 17:00, por dy pista uljeje u mbyllën për shkaqe hetimi. Ato mbetën të mbyllura edhe gjatë paradites dhe pasdites së djeshme (18.02). “Ne aktualisht nuk kemi në dispozicion pistat tona më të gjata në drejtimet lindje-perëndim dhe veri-jug”, deklaroi CEO-ja e aeroportit, Deborah Flint, në një konferencë për shtyp. Të hënën (17.02), 462 nga 1006 fluturimet e planifikuara u anuluan pjesërisht për shkak të aksidentit, sipas saj. Autoriteti i Aeroportit Metropolitan të Torontos u kujtoi udhëtarëve dje (18.02) në mëngjes në X që të kontrollonin statusin e fluturimeve të tyre para se të niseshin për në aeroport. Flint nuk pranoi të spekulonte për shkakun e aksidentit apo kushtet e uljes, duke preferuar të lërë hetuesit të bëjnë punën e tyre, por theksoi se që nga e enjtja e kaluar (13.02), në aeroportin Pearson ranë mbi 50 cm borë - më shumë se gjatë gjithë dimrit të kaluar.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: AFP/Geoff Robins; Radio-Canada; The Canadian Press