Java Kanadeze - Lajme shkurt 23.02.2025
- Published in Kanada

Jacques Cartier River - Quebec
-British Columbia, një tërmet ka provokuar shqetësime lidhur me alarmet e emergjencës
-Alberta, debat rreth lejeve të gjuetisë të shitura në ankand
-New Brunswick, komuniteti Mi’kmaw nënshkruan marrëveshje për menaxhimin e ujit të pijshëm
-Nova Scotia, aeroporti i Halifax rrit numrin e fluturimeve drejt Europës
British Columbia - Tërmeti që u ndje në jugperëndim të British Columbia të premten (21.02.) ka provokuar shqetësim te disa banorë lidhur me koherencën e alarmeve dhe kohën kur ato u dërguan. Sipas vlerësimit të Natural Resources Canada, epiqendra e tërmetit, me një magnitudë prej 4.7, ishte 24 kilometra në verilindje të Sechelt, në rajonin bregdetar Sunshine. Pas goditjes kryesore, pati disa pasgoditje me një forcë midis 1.0 dhe 2.0. Disa banorë në ishullin Vancouver, deklaruan në rrjetet sociale se kishin ndier lëkundje mjaft të forta, por megjithatë pohuan se nuk kishin marrë asnjë paralajmërim në telefonin e tyre celular. Nga ana e saj, sizmologia Alison Bird, nga Natural Resources Canada, siguroi se alarmet e dërguara nga sistemi i paralajmërimit të hershëm për tërmetet (ASP) i ministrisë janë duke u vlerësuar dhe se koha e marrjes së një paralajmërimi varet si nga distanca e personit nga epiqendra e tërmetit, ashtu edhe nga mënyra se si ai i merr alarmet. Bird vuri në dukje se alarmet e së premtes (212.02.) u dërguan vetëm në një zonë rreth epiqendrës ku priteshin lëkundje të forta, por të tjerë jashtë kësaj zone mund t’i kenë marrë gjithashtu këto paralajmërime. Ajo shtoi se mund të ketë konfuzion midis alarmit të dërguar nga qeveria federale, që është specifikisht për tërmetet, dhe sistemit provincial, i cili informon banorët për ngjarje të rëndësishme, duke përfshirë zjarret në pyje dhe fatkeqësi të tjera. Ndërkohë, nuk u raportuar asnjë dëm si pasojë e tërmetit, i cili u ndje të premten (21.02.) në orën 13:26, me orën lokale, në një thellësi prej rreth një kilometër.
Alberta - Tetë leje të veçanta gjuetie në Alberta janë shitur në ankand në Shtetet e Bashkuara që nga fundi i janarit. Shumat e mbledhura, afërsisht 1 milion dollarë kanadezë, pritet të përdoren për të financuar programe të ruajtjes së specieve në këtë provincë, por një iniciativë e tillë nuk gjen mbështetje unanime. Kennedy Halverson, specialiste për ruajtjen e mjedisit në Shoqatën për Mbrojtjen e Natyrës në Alberta, u shpreh për CBC se kjo iniciativë, e cila ekziston që nga vitet '90, bie ndesh me praktikat për mbrojtjen e faunës. Ajo shpjegoi se, ndonëse fillimisht vetëm tre specie mund të gjuheshin, qeveria e Albertës e ka zgjeruar këtë numër në tetë. “Disa nga këto kafshë, si dhia e malit, nuk duhet të jenë objektivi i gjuetisë, pasi ato jetojnë në zona të largëta dhe numri i tyre është i kufizuar”, shtoi ajo.Gjithashtu, niveli i çmimeve të arritura gjatë këtyre ankandeve e shqetëson veçanërisht, sepse sipas saj, mund të justifikojë një rritje të mëtejshme të numrit të lejeve. Çdo leje jep autorizimin për të vrarë vetëm një kafshë. Por kjo gjueti unike, e pëlqyer nga amerikanët, mund të ketë pasoja më të gjera. Poseduesi i lejes ka gjithashtu të drejtën të kryejë gjuetinë e tij në çdo kohë të vitit, një rregull që gjithashtu paraqet një problem. Jashtë periudhave të gjuetisë, disa specie rrezikohen më shumë, sidomos gjatë periudhave të shumimit. Halverson ka kërkuar më shumë transparencë dhe informacion mbi mënyrën se si ministria e menaxhon faunën. Ajo gjithashtu sugjeroi që numri i lejeve speciale të reduktohet dhe të kufizohet në periudha të caktuara të vitit vetëm në rajone të veçanta të provincës. Sipas Alexandru Cioban, zëdhënës i Ministrisë së Pyjeve dhe Parqeve, fondet e mbledhura vitin e kaluar shkuan për Shoqatën e Gjuetarëve Profesionistë të Albertës, organizata përgjegjëse për dhënien e liçencave për udhërrëfyesit dhe pajisjet për llogari të qeverisë. Kjo shoqatë ka krijuar një komitet, i cili shpërndan fondet në formën e granteve për projekte të ruajtjes së faunës.
New Brunswick - Një organizatë autoktone në New-Brunswick ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e Kanadasë për menaxhimin e shërbimeve të furnizimit me ujë nga Mi’kmaw. Kjo marrëveshje do të shërbejë si një udhëzues për transferimin e shërbimeve të ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të ndotura, shërbime që aktualisht ofrohen nga qeveria federale, duke përcaktuar qartë rolet dhe përgjegjësitë që do t’i jepen Weso’tmk Samqwan Incorporated (WSI), një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga Mi’kmaw. Ottawa e ka konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm drejt një autonomie veprimi të autoktonëve në New Brunswick. Një marrëveshje e dytë do të detajojë më vonë një financim afatgjatë për të mundësuar që organizata të ofrojë plotësisht shërbimet e ujit të pijshëm dhe trajtimit të ujërave të ndotura. “Ne gjithmonë jemi kujdesur për ujërat”, deklaroi një nga nënshkruesit, kreu Bill Ward nga komuniteti i Metepenagiag. Qeveria federale është paditur nga 59 komunitete autoktone për problemet e ujit të pijshëm, të cilët e konsiderojnë këtë një të drejtë themelore që nuk është respektuar sa duhet nga shteti. Sipas një investigimi të Radio-Canada rezultonte që 93% e komuniteteve autoktonë në New Brunswick dhe Saskatchewan nuk mund të konsumonin ujë nga rubineti për të paktën një vit mes periudhës 2004 dhe 2014. Në disa raste, njoftimet për të vluar ujin kanë qenë në fuqi për dekada të tëra. Nga ana e tyre, avokatët e Ottawa janë shprehur para gjykatës në se shteti kanadez nuk ka detyrim ligjor për të siguruar ujë të pijshëm për autoktonët.
Nova Scotia - Ndërsa kërkesa për udhëtime drejt Evropës po rritet gjithnjë e më shumë, aeroporti i Halifax, në Nova Scotia, njofton fluturime të reja për këtë verë me destinacion Holandën. Kompania ajrore WestJet do të kryejë deri në gjashtë fluturime në javë drejt aeroportit Amsterdam Schiphol nga 29 maji. Kryeqyteti holandez është destinacioni i pestë me fluturim direkt që WestJet do të ofrojë nga Halifax këtë verë, pas Dublinit, Edinburgut, Londrës dhe Parisit. Sipas agjencisë së udhëtimeve Flight Centre, ka një kërkesë në rritje për udhëtime në Evropë nga Kanadaja. Kjo mund të shpjegohet kryesisht nga dobësia e dollarit kanadez dhe nga kërcënimet për luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara. “Ka shumë kujdes në këtë kontekst të pasigurisë në lidhje me Shtetet e Bashkuara”, ka pohuar për Radio-Canada Amra Durakovic, zëdhënëse e Flight Centre. Sipas saj, Amsterdami është një destinacion i preferuar falë atraksioneve të tij turistike, por gjithashtu për afërsinë me vende të tjera turistike si Franca, Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka, të cilat po bëhen gjithnjë e më të kërkuara nga udhëtarët kanadezë.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; Shutterstock; The Canadian Press