Ontario: Konservatori Doug Ford fiton bindshëm mandatin e tretë - Nga Petro Karanxha
- Published in Kanada

Petro Karanxha - Toronto
Zgjedhjet provinciale të 27 shkurtit 2025 në Ontario hodhën poshtë parashikimet për një ulje të pjesëmarrjes nga fakti që ishin të parat që zhvilloheshin në dimër pas më shumë se 40 vjetësh. Rezultatet paraprake nga Elections Ontario konfirmojnë se afërsisht 45.5% e votuesve të regjistruar kanë shprehur vullnetin e tyre, një rritje e vogël kjo, por e rëndësishme në krahasim me pjesëmarrjen e ulët rekord prej 43.5% në zgjedhjet e vitit 2022, çka dëshmon se qytetarët e provinces më të populluar kanadeze janë ende të interesuar për proceset politike, edhe në kushte të vështira moti.
Një mandat i forte për Konservatorët e Doug Ford
Partia Progresiste Konservatore e kryeministrit Doug Ford (PC), siguroi një fitore të padiskutueshme për të tretin mandat radhazi duke siguruar 80 nga 124 vende në Parlamentin provincial. Kjo është hera e dytë në historinë politike të Ontarios, kur një kryeministër fiton tri zgjedhje të njëpasnjëshme. I pari që ka arritur një rezultat të ngjashëm ka qenë një tjetër konservator, Leslie Frost, në vitet 1951-1959.
Rezulati i të enjtes në mbrëmje (27.02,) forcoi pozitën e PC si fuqia dominuese në politikën e Ontarios. Të gjithë ministrat e kabinetit Ford u rizgjodhën deputetë. Ndërkohë, New Democratic Party (NDP), e drejtuar nga Marit Stiles, ia doli të risigurojë rolin e vet si opozitë zyrtare me 27 vende, ndërsa Partia Liberale, me lider Bonnie Crombie, u rendit e treta me 14 vende. Partia e Gjelbër e Mike Schreiner, rifitoi 2 vende, ndërsa një zonë u fitua nga një kandidat i pavarur.
Një nga rezultatet më të papritura të zgjedhjeve ishte humbja e kryetares së Partisë Liberale, Bonnie Crombie, në zonën e saj elektorale në Mississauga East-Cooksville, qytet ku ajo ka qenë edhe kryetare bashkie. Pavarësisht nga humbja, Crombie deklaroi se do të vazhdojë të qëndrojë në krye të partisë.
Fjalimi i fitores, një vizion për të ardhmen
Në fjalimin e tij të fitores, kryeministri Doug Ford deklaroi se PC siguroi një "mandat të fortë" nga qytetarët e Ontarios. Ai shprehu besimin se politikat e qeverisë së tij do të kenë një ndikim të qëndrueshëm, madje edhe përtej mandatit të liderëve globalë si presidenti amerikan Donald Trump. Ford theksoi prioritetet kryesore për mandatin e tij të ardhshëm, duke përfshirë fuqizimin ekonomik, reformën e shëndetësisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, veçanërisht zgjerimin e sistemeve të transportit në Ontario dhe vazhdimin e ndërtimit të banesave me kosto të përballueshme me synim zbutjen e krizës së strehimit.
Reagimet e NDP dhe Partisë së Gjelbër
Marit Stiles, liderja e NDP, pasi falenderoi mbështetësit për besimin, ripërsëriti përkushtimin e partisë së saj për të luftuar për drejtësi dhe barazi në Ontario. "Edhe pse rezultatet mund të mos jenë ato që ne shpresonim, vendosmëria jonë nuk ka ndryshuar", tha ajo. Performanca e NDP, edhe pse jo e mjaftueshme për të sfiduar shumicën e PC, siguroi vazhdimësinë e rolit të saj si opozita kryesore zyrtare.
Ndërkohë, Partia e Gjelbër arriti një fitore të vogël, por kuptimplotë, duke ruajtur dy vendet që kishte në Parlament. Mike Schreiner, fitues në zonën e tij në Guelph, e vlerësoi rizgjedhjen si një hap përpara në përpjekjen për një "Ontario më të mirë". Schreiner theksoi rëndësinë e adresimit të ndryshimeve klimatike dhe ndërtimit të një ekonomie të qëndrueshme, çështje që tërhoqën vëmendjen e një segmenti në rritje të elektoratit. Edhe pse Partia e Gjelbër mbetet një forcë e vogël në Parlament, suksesi i saj tregon një ndryshim gradual në prioritetet e votuesve drejt çështjeve mjedisore.
Një elektorat i polarizuar, por i angazhuar
Zgjedhjet e 2025 treguan se kemi të bëjmë me një elektorat të polarizuar, por të angazhuar politikisht. Pavarësisht nga sfidat e një fushatë dimërore, pjesëmarrja më e lartë e votuesve dëshmoi se ontarianët janë të shqetësuar për të ardhmen e provincës. Çështjet kryesore që dominuan fushatën përfshinin qasjen në shëndetësi, koston e rritur të jetesës, çmimet e banesave dhe ndryshimet klimatike. Fokusi i PC në rritjen ekonomike dhe infrastrukturë ndikoi te shumë votues, ndërsa NDP dhe Liberalët theksuan nevojën për programe sociale më të avancuara dhe veprime mjedisore.
Zgjedhjet nxorrën në pah gjithashtu dinamika të ndryshme në skenën politike të Ontarios. Liberalët, dikur partia dominuese në provincë, vazhdojnë përpjekjen e tyre për t'u ringritur pas humbjes së tyre katastrofike në vitin 2018. Nën drejtimin e Crombie, ata realizuan një rritje veçanërisht në qendrat urbane, duke kaluar pragun e 12 vendeve për rifitimin e statusit si opozita e dytë zyrtare. Nga ana e saj, Partia e Gjelbër, edhe pse ende një aktor i vogël politik, tregoi se po fiton gradualisht terren, veçanërisht tek votuesit më të rinj dhe ata që iu japin prioritet çështjeve mjedisore.
Zhvillimet e mëtejshme
Me PC që siguroi një shumicë tjetër solide, qeveria e Doug Ford është e gatshme të vazhdojë agjendën e saj të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës. Megjithatë, partitë e opozitës e kanë bërë të qartë se do të vazhdojnë t’i kërkojnë llogari qeverisë për çështje kyçe si shëndetësia, arsimi dhe ndryshimet klimatike. NDP, në mënyrë të veçantë, pritet të bëjë presion për rritjen e fondeve për shërbimet publike dhe mbështetje më të madhe për punëtorët.
Liberalët, pavarësisht humbjeve të tyre të njëpasnjëshme, mbeten një pjesë e rëndësishme e diskursit politik. Megjithatë, me humbjen e Cromby, mbetet për t’u pare cilat do të jenë mundësitë që kjo parti të rifitojë prominencën e saj të mëparshme. Ndërkohë, influenca në rritje e Partisë së Gjelbër paralajmëron që çështjet mjedisore do të mbeten një pjesë kyçe e teatrit politik në Ontario.
Disa konkluzione
Zgjedhjet e parakohshme në Ontario dhe rezultati i tyre duhen gjykuar edhe në raport me situatën politike kanadeze dhe globale. Fitorja e PC përputhet me një valë suksesesh konservatore në provinca të tjera, si Alberta, Saskatchewan, apo Nova Scotia, ku qeveritë e drejtuara nga e djathta kanë arritur suksese në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e burimeve.
Rezultatet e zgjedhjeve në Ontario pritet të kenë edhe implikime mbi politikën federale, veçanërisht me afrimin e zgjedhjeve që mund të zhvillohen siç përflitet në pranverë (pas garës për lidershipin Liberal) apo ndofta në vjeshtë. Performanca e fortë e PC mund fuqizojë përpjekjet e Partisë Konservatore Federale për të sfiduar Liberalët, veçanërisht në provinca kyçe si Ontario, që vendosin fatin e zgjedhjeve.
Si përfundim, zgjedhjet e pardjeshme në Ontario shënuan një moment vendimtar në historinë politike të provincës. Me një pjesëmarrje më të lartë të votuesve, një fitore pa ekuivok të PC dhe një skenë politike në ndryshim, rezultatet nënvizuan rëndësinë e adresimit të çështjeve urgjente me të cilat përballen ontarianët, që si gjithë kanadezët po përjetojnë kompleksitetin e një bote në ndryshim të shpejtë.
© Petro Karanxha - Toronto
Foto: The Canadian Press/Chris Young