Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 9 mars 2025

  • Published in Kanada

 

Prince Eward Island

 

-Alberta, dëbora, era dhe i ftohti ekstrem përfshijnë gjithë provincën

-Saskatchewan, porti i Churchill pritet të lehtësojë shpërndarjen e fosfatit

-New Brunswick, kryetarja e bashkisë Moncton Dawn Arnold emërohet senatore

-Nova Scotia, Kantieri detar Irving në Haifax merr një kontratë 8 miliardë dollarë nga qeveria federale

 

Alberta - Sipas paralajmërimeve të Environment Canada, erëra të forta priteshin sot (09.03.) të përfshinin jugun e Albertës, reshje të konsiderueshme bore priteshin në rajonet malore, në perëndim të provincës, ndërsa i ftohti ekstrem do të vazhdojë në veri. Paralajmërimi për dëborën njoftoi se deri në 20 cm do të bjerë gjatë ditës së sotme dhe deri nesër. Grumbullimi i shpejtë i borës mund ta bëjë të vështirë lëvizjen në disa zona. Sipërfaqe si rrugët, rrugicat, trotuaret dhe parkingjet mund të bëhen të vështira për t’u kaluar për shkak të saj. Reshjet do të përhapen drejt jugut përgjatë kreshtave malore. Nga ana tjetër, Avalanche Canada paralajmëroi se rreziku është i lartë për adhuruesit e sporteve të dimrit që aventurohen në rajonet Jasper, Banff dhe Kananaskis. Në Jasper, një pjesë e madhe e rrugës Glacier është e mbyllur, pasi janë duke u zhvilluar ndërhyrje parandaluese për provokimin e kontrolluar të ortekëve. Sipas një tjetër paralajmërimi, jugu, midis rajonit të Calgary dhe kufirit amerikan, u përfshi gjithashtu nga erëra të forta me shpejtësi mbi 100 km/h. Së fundmi, verilindja e provincës ka vazhduar të përjetojë një të ftohtë ekstrem gjatë gjithë mëngjesit, me një ndjesi termike ekstreme deri në -40 gradë Celsius. Paralajmërimet për të ftohtin ekstrem publikohen kur temperaturat ose ndjesia termike paraqesin një rrezik të lartë për shëndetin, duke u kujtuar banorëve të vishen me disa shtresa rrobash nëse duhet të dalin jashtë. Pavarësisht erërave të forta, temperaturat më të larta sot (09.03.) janë regjistruar në Lethbridge dhe Medicine Hat, përkatësisht 15 dhe 16 gradë Celsius.

Saskatchewan - Arctic Gateway Group (AGG) dhe Genesis Fertilizers nënshkruan një marrëveshje për importin dhe eksportin e fosfatit dhe lëndëve të tjera të para për plehra kimike përmes portit Churchill. Kjo marrëveshje arrihet në momentet e një beteje tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe mund të ndihmojë në shkëputjen e mëtejshme të ekonomisë së Saskatchewan dhe Manitoba nga tarifat doganore amerikane. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Genesis Fertilizers, me seli në Saskatoon dhe AGG do të bashkëpunojnë për të siguruar importin në Manitoba të fosfatit, sulfatit të amonit dhe lëndëve të tjera të para për plehra kimike nga tregtues ndërkombëtarë. "Jemi krenarë që infrastruktura e portit të Churchill dhe e hekurudhës së Gjirit Hudson do lehtësojnë importin e fosfatit dhe lëndëve të tjera të para për plehra nga tregjet ndërkombëtare", deklaroi për CBC drejtori i përgjithshëm i AGG-së, Chris Avery, në një konferencë për shtyp të premten (07.03.). "Produktet e Genesis Fertilizers do të kenë gjithashtu qasje në tregjet ndërkombëtare përmes portit të Churchill, duke zgjeruar kështu shtrirjen e tyre përtej tregjeve të Amerikës së Veriut", shtoi ai. Pasi të përfundojë ndërtimin e uzinës së saj të plehrave azotike në Belle Plaine, Saskatchewan, Genesis Fertilizers do t’i shpërndajë këto produkte te fermerët e Kanadasë Perëndimore dhe në nivel kombëtar përmes objekteve të portit të Churchill dhe rrjetit të shpërndarjes SuperCenter, i cili është ende në fazën e projektimit. "Zakonisht, fosfati, sulfati i amonit dhe lëndët e tjera të para për plehra kimike që përdor Kanadaja importohen nga Shtetet e Bashkuara", shpjegoi presidenti i Genesis Fertilizers, Jason Mann. Një pjesë vjen nga Evropa, por rruga për në Kanada kalon zakonisht nga New Orleans: një anije me fosfat nga Afrika e Veriut ose Gjiri Arab mbërrin në New Orleans, ku ngarkesa transferohet në një anije më të vogël. Ajo vazhdon udhëtimin e saj përmes lumit Misisipi, pastaj transportohet me tren deri në Perëndim të Kanadasë. Megjithatë, beteja tregtare e nisur nga administrata Trump ndaj produkteve kanadeze dhe kundër-tarifat për disa produkte amerikane, të vendosura nga qeveria kanadeze, rrezikojnë të dëmtojnë këtë zinxhir furnizimi. Avery e sheh këtë partneritet si një zgjidhje për të çliruar më tej ekonominë kanadeze nga politikat e paqëndrueshme të Shtëpisë së Bardhë. "Së bashku, po bëjmë pikërisht atë që Kanadaja duhet të bëjë për të kundërshtuar tarifat doganore amerikane dhe për ta bërë vendin tonë më pak të varur nga Shtetet e Bashkuara", pohoi ai. Arctic Gateway Group, që është pronari i portit të Churchill dhe operatori i linjës hekurudhore të Gjirit Hudson, ka shpresa të mëdha që ky partneritet do të ringjallë aktivitetet e portit dhe do ta shndërrojë atë në një pikë strategjike të rëndësishme për transportin tregtar kanadez.

New Brunswick - Kryetarja e bashkisë Moncton, Dawn Arnold, u emërua të premten (07.03.) senatore nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon me propozim të kryeministrit kanadez Trudeau. Arnold e mbante detyrën si kryetare bashkie që nga viti 2016 dhe dorëheqja e saj hyri në fuqi menjëherë pas njoftimit të emërimit. Mandati i saj aktual përfundonte në maj 2026. Aktualisht, nënkryetarja e bashkisë, Paulette Thériault, do të ushtrojë përkohësisht funksionin e kryetarit. "Edhe pse roli im po ndryshon, angazhimi im ndaj këtij qyteti dhe të gjithë banorëve të Moncton mbetet i palëkundur", deklaroi ajo në një mezazh të publikuar në rrjetin social Facebook, ku falenderoi banorët për besimin e tyre. "Nuk është një lamtumirë, por thjesht një kapitull i ri në shërbimin tim ndaj komunitetit dhe Kanadasë", përfundonte mesazhi i saj. Përpara se të bëhej gruaja e parë që mbante postin e kryetares, Dawn Arnold ka qenë këshilltare e bashkisë Moncton për katër vjet. Ajo ka qenë gjithashtu nënkryetare e Unionit të Bashkive të New Brunswick, nënkryetare e Shoqatës së Qyteteve të New Brunswick dhe kryetare e Komitetit për Rigjallërimin e Qendrës së Qytetit në Moncton. Drejtori i Përgjithshëm i bashkisë, Serge Doucet, e uroi atë për emërimin përmes një deklaratë të publikuar nga bashkia të premten në mbrëmje, në të cilën ndër të tjera thuhej se "lidershipi i saj do të na mungojë, por nënkryetarja e bashkisë dhe këshilli do të vazhdojnë ta drejtojnë qytetin e Moncton-it me përkushtim dhe kompetencë."

Nova Scotia - Ottawa njoftoi dje (08.03.) në mëngjes dhënien e një kontrate prej 8 miliardë dollarësh për Kantierin detar Irving Shipbuilding në Halifax, me qëllim nisjen e ndërtimin të destrojerëve të destinuar për Marinën Mbretërore Kanadeze. Kjo faturë e parë paralajmëron një më të madhe: tre anijet e para të reja pritet të kushtojnë 22,2 miliardë dollarë. “Investimi në fjalë do të financojë, ndër të tjera, gjashtë vitet e para të ndërtimit, si dhe furnizimin me pjesë këmbimi dhe produkte mirëmbajtjeje të nevojshme për të operuar dhe mbështetur anijet në shërbim”, njoftoi National Defence Canada. Tre destrojerët e kategorisë Canadian River - Fraser, Saint-Laurent dhe Mackenzie - janë të parët nga 15 që do të zëvendësojnë flotën aktuale të Marinës, ku përfshihen 12 fregatat e klasës Halifax, të cilat janë vjetëruar tashmë dhe katër destrojerët e kategorisë Iroquois, që dolën jashtë shërbimit tetë vjet më parë. Kostoja totale e projektit duket se po rritet përsëri në raport me buxhetin fillestar: në vitin 2011, Ottawa parashikonte të paguante 26 miliardë dollarë për të gjithë flotën e re. Në vitin 2017, qeveria vlerësoi se fatura do të arrinte në 60 miliardë dollarë. Drejtori parlamentar i buxhetit, nga ana e tij, ka vlerësuar qysh në vitin 2022 se do të duheshin 84 miliardë dollarë për të rinovuar flotën e Marinës, por në faqen e internetit të National Defence deri dje (08.03.) lexohej se kostoja totale e projektit ende vlerësohet midis 56 dhe 60 miliardë dollarësh. “Destrojerët e rinj do të jenë më të mëdhenj dhe do të përfaqësojnë një version të përshtatur të anijeve luftarake britanike të tipit 26. Ata do të pajisen me sensorë të avancuar nënujorë, një sistem radari të teknologjisë më të fundit dhe armë moderne”, ka deklaruar gjithashtu dikasteri i Mbrojtjes.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Andrew Vaughan