Kanada

Ontario - Doug Ford urdhëron ngrirjen e punësimit në sektorin publik

  • Published in Kanada

Kryeministri i ri i Ontarios Doug Ford, në kuadrin e një serie masash që synojnë kufizimin e shpenzimeve, ka urdhëruar dje ngrirjen e punësimit në sektorin publik.

Sipas një zëdhënësi të tij, kryetari i Partisë Progresiste Konservatore u ka kërkuar gjithashtu të gjitha ministrive anullimin e “shërbimeve me abonim” si dhe kufizimin e lëvizjeve jashtë provincës. I njëjti burim ka konfirmuar se për momentin, mazhoranca e re do të shqyrtojë në detaje të gjitha shpenzimet qeveritare në mënyrë që të sigurohet që ato të korrespondojnë me pritshmëritë e takspaguesve.

Verifikimi i këtyre shpenzimeve ka qenë dhe një nga premtimet e Doug Ford gjatë fushatës zgjedhore, me qëllim ekonomizimin e miliarda dollarëve përmes një përdorimi më efikas të fondeve publike. Ai gjithashtu pat premtuar që nuk do të shkurtonte asnjë vend pune. Ndërkohë, sipas një burimi brenda partisë, personeli i linjës së parë të shërbimeve, policia dhe zjarrëfikësit përjashtohen nga rregulli i ri i ngrirjes së punësimit.

Ndërkohë, Warren Thomas, kryetari i Sindikatës së punonjësve të funksionit publik të Ontario-s me 34 000 anëtarë, ka deklaruar se nuk ka qenë i informuar në lidhje me këtë vendim nga ekipi i Doug Ford. Sipas tij, ky fakt “nuk është mënyra e duhur për të ndërtuar një raport të ri” me një fuqi punëtore të sindikuar. Kryesindikalisti i funksionit publik e ka konsideruar vendimin e Ford më shumë simbolik, një përpjekje për tu krijuar përshtypjen qytetarëve se me këto masa ai po konkretizon premtimet e veta elektorale.

Burimi: Radio-Canada/La Presse Canadienne

Tagged under Doug Ford