Kanada

Dita e Kanadasë si një ditë falenderimi

  • Published in Kanada

Për shumë kanadezë, 1 Korriku është thjesht një ditë në një fundjavë të gjatë; një ditë, e cila kur qëllon të dielën, i jep të hënës statusin magjik të pushimit, një ditë për barbeky, për të shkuar pranë ujit, për t’iu gëzuar fillimit të verës kanadeze, e cila asnjëherë nuk vjen herët mjaftueshëm dhe gjithmonë mbaron më shpejt, një ditë për të çuar fëmijët për të parë fishekzjarret që hidhen sepse…. um, mirë, epo…, oh … Kanada?

Ky nuk është një vend që bëhet sentimental për historinë, ose të ketë pretendime për vendin që zë në të. Është një ditë kombëtare, por shumë prej nesh nuk vrasin mendjen se pse qysh, tek. Neve na japin një ditë pushimi dhe ne e marrim atë.

Vende të tjera kanë festa kombëtare që shënojnë momente kyçe kur kanë bërë shkëputje të dhunshme me të kaluarën. Amerikanët kanë Ditën e Pavarësisë, ditën kur 13 kolonitë firmosën Deklaratën e Pavarësisë, fillimin e luftës për t’u ndarë nga Britania e Madhe dhe për të krijuar një shtet të ri. Francezët kanë Ditën e Bastijës, ditën e fillimit të Revolucionit Francez dhe fillimit të fundit të monarkisë.

Për shumë njerëz, këto ngjarje historike duken më të qarta dhe të gjalla sesa tonat. Sigurisht që janë përforcuar edhe prej adaptimeve televizive dhe filmave të shumtë. Ditët kombëtare të francezëve dhe amerikanëve shënohen nga refuzimet e të shkuarës përmes radikalizmit, dhunës, armëve, gjakut. Ndryshimi ka ardhur pikërisht përmes këtyre.

Ndërsa 1 korriku 1867 nuk është fare si këto. Nuk pati asnjë revolucion, pati evolucion. Nuk ishte i dhunshëm, por paqësor. Diçka e re u pranua pa refuzuar diçka tjetër të vjetër apo të shkuar. Një grup përfaqësuesish, burra shtetesh, të cilët dallonin në shumë gjëra mes tyre, përmes negociatave dhe kompromiseve arritën një marrëveshje. Ishte një marrëveshje për të rritur ndryshimet dhe përmirësimet në vend. Asnjë nuk u vra. Askush nuk shkoi në gijotinë.

Kushtetuta e hartuar në 1867 nuk përmban ujëra, por vetëm disa ide të ndjeshme.

Ndërkohë që kushtetuta amerikane fillon me një thirrje: “Ne, Populli”; Deklarata e Pavarësisë përfundon me premtimin e firmëtarëve për “Zotim ndaj njëri-tjetrit, jetëve tona, fateve tona dhe Nderit tonë të shenjtë”, fjala e parë e aktit të Amerikës Veriore Britanike është “Ndërsa”.

Në vend që të ishte dita e vënies kapak ndaj gjithçkaje që përfundoi, 1 Korriku ishte dita kur diçka mirëfilli kanadeze filloi. Ishte fillimi i një procesi. Në fakt, Konfederata nuk ishte as fillimi, pasi Kanadaja ekzistonte para vitit 1867. Dhe nuk ishte as fundi, pasi procesi vazhdoi dhe vazhdon sot.

Kështu pra, a është 1 korriku i Kanadasë, version i Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara? A ka kuptim kjo pyetje?

Sfida e Kanadasë në vitin 1867, nuk ishte se si një grup njerëzish do të priste lidhjet me dhunë me një grup tjetër njerëzish, por se si grupe njerëzish të ndryshëm, anglishtfolës, frëngjishtfolës, katolikë, protestantë, europianë, indigjenë dhe njerëz të të gjitha besimeve e të gjithë kombeve, mund të jetonin në paqe së bashku.

Viti 1867 në Kanada nuk është si viti 1776. Duke e parë përmes lenteve amerikane e shtrembërojmë atë. Për t'u bërë i pavarur, ishte një proces i gjatë madje, që zgjati nga viti 1867 deri në riatdhesimin e Kushtetutës më 1982.

Krahasojmë një histori të rrëmbimit të pavarësisë kundrejt asaj të fituar gradualisht dhe miqësisht në rrugë paqësore. Krahasojmë një revolucion gjakatar, kundrejt një evolucioni të zgjatur paqësor. Në memorie, i pari është më emocionues, ndërsa për ata që jetojnë, tjeri është më human.  

Ende, sot disa besojnë se historia jonë është e plogët, përderisa nuk ka shumë episode të çlirimit të dhunës që vendet e tjera e kanë me shumicë. Por nëse ju ndaleni në këtë pikë, në fakt kjo është pjesa më e rëndësishme dhe frymëzuese në historinë e Kanadasë.

Ky nuk është një vend pa ideale, përderisa që nga fillimi i shekullit të kaluar, kanë humbur jetën më shumë se sa 100 mijë kanadezë, të cilët kanë rënë në mbrojtje të tyre. Por ky është një vend që ka qenë në gjendje të bëjë kompromis me veten. Kanadaja është një vend që ka pasur sukses, dhe që vazhdon të ketë sukses, sepse njerëzit kanë qenë mjaftueshëm të arsyeshëm në kohë të caktuara.

Megjithëse Kanadaja gjithmonë ka pasur vizione të shumëllojshme e plot kundërshti për atë se si duhet të jetë vendi, ne kemi pasur argumente civile në vend të luftës civile. Dhe në vend që të luftojmë në rrugë, ne shfaqim opozitë në kutinë e votimit. Jo shumë vende mund ta thonë këtë, dhe jo shumë prej tyre e kanë mbajtur atë për një shekull e gjysmë. Ndoshta ajo që e quajmë Dita e Kanadasë, më mirë duhet të quhet Dita e Falenderimeve.

Burimi: https://www.theglobeandmail.com/opinion/editorials/article-canada-day-why-1867-was-better-than-1776/