Nënshkruhet Marrëveshja për Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve Kanadeze në Kosovë
- Published in Kanada
- Nga: Shani Pnishi
Në kryeqytetin e provincës së Ontarios, Toronto, Ministri për Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Valdrin Lluka, sëbashku me Ministrin kanadez të Burimeve Natyrore, Jim Carr, kanë nënshkruar dje Marrëveshjen për Mbrojtjen dhe Promovimin e Investimeve Kanadeze në Kosovë.
Ky akt finalizon negociatat që patën nisur qysh në qershor të vitit 2014 dhe që u pasuan më vonë me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes dy vendeve në nëntor të vitit të kaluar, nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Ministri kanadez i Tregëtisë me Jashtë, François-Philippe Champagne.

Sipas njoftimit te publikuar në rrjetin social Facebook nga ministri Valdrin Lluka, “kjo është një marrëveshje historike, e para bilaterale mes Kosovës dhe Kanadasë dhe tejet e rëndësishme për ekonominë kosovare, per faktin se hap një perspektivë të re për investime nga ana e kompanive kanadeze në Kosovë."
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri Lluka e garantoi Ministrin Carr për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në favor të krijimit të kushteve sa më të favorshme për investitorët e huaj në pergjithesi e në veçanti për kompanitë kanadeze. Me nënshkrimin e këtij dokumenti të rëndësishëm besohet se do krijohen hapësira dhe mundësi më të mëdha që kompanitë kanadeze të investojnë në Kosovë, sidomos në fushën minerare.
Të dy ministrat u shprehën qartë se kjo marrëveshje siguron dhe mbështet jo vetëm investitorët kanadezë në Kosovë por natyrshëm do ofrojë edhe mundësi më të mëdha punësimi e rritje të mëtejshme ekonomike për vendin mikpritës. Kësisoj, duket se marrëveshja në fjalë do jetë një garanci serioze dhe instrument ligjor bazë për shndërrimin e Kosovës në një nyje shumë të rëndësishme të investimeve kanadeze në rajon.
Kujtojmë që Kanadaja ka qënë ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës qysh në muajin mars 2008, ndërsa në kohën e krizës së vitit 1999, që përfundoi me çlirimin e Kosovës si rezultat i ndërhyrjes së koalicionit ndërkombëtar të kryesuar nga SHBA, Kanadaja gjithashtu ofroi strehim për rreth 7000 shqiptarë të larguar me forcë drejt Maqedonisë nga represioni i Ushtrisë serbe.












