Kanada

Doug Ford, lideri i ri i Konservatorëve Progresistë të Ontarios

  • Published in Kanada
Nga: Alban Tirana

Në fund të një dite dramatike për nga zhvillimet, është bërë i njohur dje në orët e vona të mbrëmjes, emri i liderit të ri të Konservatorëve Progresistë të Ontarios. Ai quhet Doug Ford.

Ish-anëtari i këshillit bashkiak të Torontos është njeriu që krijoi surprizën dhe tejkaloi të gjitha parashikimet. Kandidati populist fitoi përballë Christine Elliott, aspirante për herë të tretë radhazi për kreun e partisë. Në garë ishin edhe dy emra të tjerë, Caroline Mulroney (vajza e ish-kryeministrit konservator Brian Mulroney) dhe Tanya Granic Allen. Doug Ford u shpall fitues në përfundim të raundit të tretë, që sipas rregullores së brendshme të partisë quhet votimi preferencial.

Konservatoret hynë në zgjedhje për liderin e ri pas doreheqjes në fund të janarit të numrit një të tyre, Patrick Brown, si rezultat i akuzave për një skandal të mundshëm seksual, të bëra publike nga CTV.

Lideri i ri, Doug Ford, menjëherë pas shpalljes së rezultatit ka deklaruar se partia e tij e kaloi fazën e parë drejt objektivit për largimin nga pushteti të Kathleen Wynne në zgjedhjet e pritshme të qershorit.

“Ontario ka nevojë për ndryshim dhe ne do të paraqesim shumë shpejt një program në përputhje me pritshmëritë dhe kërkesat e ontarieneve”, ka theksuar ai, duke afirmuar në të njëjtën kohë që, të gjithë kundërshtarët në garën për kreun e partisë do të kenë secili rolin e tij në ekipin qe ai do të krijojë.

Ndërsa nuk ka komunikuar ende me konkurenten e tij kryesore, Christine Elliott, Ford ka marrë menjëherë mbështetjen publike nga Caroline Mulroney, përmes një mesazhi të saj  në Twitter. Sa i takon konkurentes Tanya Granic Allen, kjo e fundit ka dalë në krah të Doug Ford, në komunikimin e parë publik të tij si lider i ri i Konservatorëve pas shpalljes së rezultatit zyrtar.

Të gjitha mediat kryesore kanadeze dhe të provincës, e raportuan si kaotik procesin e djeshëm të zgjedhjeve. Në fillim të mbrëmjes, delegatët u larguan nga salla pas deklarimit të Hartley Lefton, kryetar i komisionit zgjedhor, sipas të cilit kishte disa probleme me numërimin e votave. Por pas disa orësh pasigurie, ku konfirmohej gjysëm zyrtarisht fitorja e Ford, më në fund u njoh dhe rezultati përfundimtar.

Dag Ford tani është përpara sfidës së zgjedhjeve të qershorit dhe do ti duhet të bashkojë të gjitha sensibilitet brenda partisë në rrugën drejt aspiratës për tu bërë kryeministër i Ontarios.

Douglas Bruce Ford Junior, i njohur si Doug Ford, ka lindur më 20 nëntor 1964 dhe jeton në Etobicoke. Ai është i biri i Doug Ford Senior, deputet i Parlamentit të Ontarios në legjislaturën 1995-1999 dhe njëkohësisht vëllai i të ndjerit Rob Ford, kryetarit të 64-t të Bashkisë së Torontos. I ardhur në politike nga bota e biznesit, Doug ka qenë keshilltar bashkiak në Toronto në periudhën 2010-2014. Në zgjedhjet e 2014 për Bashkinë e Torontos ai u rendit i dyti pas fituesit John Tory. Lideri i ri i Konservatorëve të Ontarios është i martuar me Karla Middlebrook dhe është baba i katër vajzave,