Kanadaja dhe Shqipëria në prag të nënshkrimit të Marrëveshjes për pensionet
- Published in Kanada
Para largimit, Majko takohet me Ministrin Kanadez të Emigracionit Ahmed Hussen
Takimi i fundit dhe më i rëndësishmi para largimit drejt Shqipërisë i Ministrit të Diasporës Pandeli Majko, ka qenë ai i zhvilluar në kryeqytetin Kanadez Ottawa të shtunën, më 10 mars, me Ministrin Federal të Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Ahmed Hussen.
Tema më e rëndësishme e bisedës ka qenë ajo në lidhje me marrëveshjen për pensionet, një çështje me shumë interes për diasporën shqiptaro-kanadeze. Sipas një njoftimi të Kabinetit të Ministrit Majko, por edhe sipas konfirmimit që FlasShqip.ca mori drejtpërdrejt prej Ambasadorit Ermal Muça mësohet se draft-marrëveshja është finalizuar dhe të dyja palët janë gati ta firmosin.
Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve ishte një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar në takim. Ministri Federal Hussen e informoi z. Majko se Kanadaja po ndërmerr një reformë për të mundësuar lehtësimin e lëvizjes, veçanërisht për studiuesit, studentët dhe sipërmarrësit që kanë lidhje biznesi në Kanada.
Ministrat diskutuan edhe për çështje të tjera të rëndësishme për diasporën shqiptaro-kanadeze, tema për të cilat Ministri Hussen shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare. Nga ana e tij, Ministri shqiptar Majko e ftoi zyrtarin e lartë kanadez të marrë pjesë në Samitin e dytë të diasporës që do të zhvillohet në Tiranë.
@FlasShqip.ca












