Kanada

Trudeau akuzon Kinën për dumping në tregëtinë e çelikut dhe aluminit

  • Published in Kanada

Sipas një raportimi të Radio Kanada, që i referohet Agjencisë France-Presse, Kryeministri Kanadez Justin Trudeau, ka akuzuar dje Kinën për “konkurrencë të pandershme” në sektorin e tregëtimit të çelikut dhe aluminit, duke e mbytur tregun botëror me produkte me çmim të ulët, gjë që sipas tij, po dëmton prodhuesit e sektorit siderurgjik në Amerikën e Veriut.

Ndërkohë, katër ditë më parë, Presidenti Amerikan Trump, pat njoftuar që Kanadaja “për momentin” përjashtohej nga tarifat e reja mbi importet amerikane të aluminit dhe çelikut. Nga ana e tij, Kryeministri Trudeau, do të deklaronte të njëjtën ditë që ai vetë dhe Trump, ishin “shume të preokupuar” nga politikat veçanërisht të Kinës për sektorin në fjalë, të cilësuara si dumping i hapur.

Kjo është dhe arsyeja që Kanadaja, për të evituar çrregullimin e tregut, “prej kohësh ka vendosur disa barriera ndaj produkteve me çmime të ulëta, që mbi të gjitha konkurojnë në menyrë të padrejtë prodhuesit tanë dhe tregun e brendshëm – ka thënë dje Justin Trudeau, gjatë një vizite në një fabrikë prodhimi alumini të Rio Tinto, në Saguenay-Lac-Saint-Jean, i shoqeruar nga Kryeministri i Quebéc-ut, Philippe Couillard.

Trudeau ka pohuar mesazhin që i ka përcjellë palës amerikane, që shpreh gadishmërinë e palës kanadeze për të studjuar mundësitë e masave të përbashkëta për të reduktuar efektet negative të dumping-ut kinez, në një sektor të rëndësisë së parë. Kujtojmë që Kanadaja është furnizuesja kryesore e SHBA me çelik dhe alumin.

Pas 10 ditësh, fqinji amerikan do të ndryshojë taksat e importit për këto dy produkte sipas vendimit të formalizuar më 8 mars nga Presidenti Trump, përkatësisht me 25% dhe 10%. Vendimi i Trump u “zbut” gjithsesi përkohësisht, pas reagimit të Justin Trudeau, i cili paralajmëroi kundërmasa energjike ndaj SHBA, në rast taksimi të çelikut dhe aluminit kanadez. Kanadaja, sikurse Meksika, nuk do taksohen, deri në momentin e rinegocimit të Marrëveshjes së Tregëtisë së Lirë Amerikano-Veriore (ALENA) nga Washington, Ottawa dhe Mexico.

Justin Trudeau njihet si mbështetës i vendosur i tregut të lirë. Me këtë bindje, bashkë me Kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, ai pat nisur në Montréal në vitin 2016, diskutime paraprake me synim arritjen e një marrëveshje tregëtie të lirë mes dy vendeve, për ti dyfishuar këmbimet dypaleshe deri në vitin 2025. Kina, pas SHBA, mbetet partneri i dytë ekonomik dhe tregëtar më i rëndësishëm per Kanadanë.

Burimi: Radio Canada/France-Presse

@Përgatiti FlasShqip.ca