Kanada

Québec – Programi i emigrantëve investitorë drejt dështimit?

  • Published in Kanada

Programi i provincës së Québec-ut, realizuar përmes Investissement Quebéc, që mbështet emigrimin e investitorëve nga jashtë Kanadasë, duket se nuk po jep efektet e parashikuara ekonomike. Shumica e kësaj kategorie emigrantësh nuk vendosen asnjëherë përfundimisht aty edhe pse përfitojnë nga ky program mundësinë e marrjes së pasaportës kanadeze. Thënë akoma më qartë, 90% e tyre largohen nga “Belle Province” për tu vendosur gjetkë në Kanada, kryesisht në Toronto ose Vancouver. Kështu raporton TVA duke ju referuar të dhënave të përpiluara nga Statistics Canada posaçërisht për “Journal de Montréal”.

Shifra e atyre që përfitojnë çdo vit nga programi në fjalë shkon rreth 1900. Ndërsa kushtet që duhen përmbushur janë: zotërimi i aktiveve me vlerë të paktën 1,6 milionë dollarë, shprehja e vullnetit për tu vendosur në territorin e provincës si dhe dhënia hua pa interes e shumës 800 000 dollarë në favor të Investissement Québec, kompani e krijuar me ligj të posaçëm të parlamentit provincial qysh më 1998, më qëllim tërheqjen kryesisht të investitorëve nga jashtë Kanadasë. Në total, nga 1991 deri më 2016, shifra e përfituesve, shumica e të cilëve emigrantë nga Kina, është 57 935.

I kritikuar nga provincat perëndimore, programi i Québec-ut vetëm vitin e kaluar i ka kushtuar buxhetit provincial gati 12 milion dollarë. Sipas të dhënave të “Journal de Montréal”, kjo shifër është më e lartë se ajo e programit të dikurshëm federal që i shërbente 9 provincave dhe tre territoreve. Referuar vitit 2012, shifra duket se ka ardhur vetëm në ngjitje duke kaluar nga 9,3 milion në 11,8 milion dollarë. Këto të dhëna janë siguruar mbi bazën e Ligjit që garanton të drejtën e informimit. Po të krahasosh madje shifrat në rang vendi, kostoja vjetore e programit federal për provincat e tjera ka qenë vetëm 5 milion dollarë në vit, shifër kjo e vitit 2012, moment kur konservatorët që kontrollonin qeverinë në Ottawa e anuluan atë përfundimisht duke e konsideruar si jo efikas.

Akoma më domethënës duket fakti që, shumica e fondeve të programit shpenzohet per pagat e personelit të angazhuar nga MIDI (Ministria e Imigracionit, Diversitetit dhe Përfshirjes) dhe Kompania Investissement Québec, brenda provincës dhe jashtë Kanadasë. Kryesisht bëhet fjalë për personelin që merret me shqyrtimin dhe verifikimin e dosjeve të paraqitura nga kandidatët investitorë që kërkojnë të emigrojnë në kuadër të programit i cili duket se po shkon drejt dështimit. Mësohet se Ministri përgjegjës për programin, David Heurtel, ka refuzuar të intervistohet nga “Journal de Montréal”.

Njëri nga kolumnistët më të njohur të “Journal de Montréal”, Richard Martineau, ka analizuar dje shumë nga pikepyetjet rreth programit, në kronikën e tij “Zgjohuni”, transmetuar direkt nga Studio e TVA në Programin Québec matin. Kritik me argumente konkrete rreth barrierave kryesisht linguistike dhe fiskale sipas tij, ai ka nënvizuar se qeveria duhet patjetër ta rishikojë këtë program me seriozitet, për të evituar dështimin e tij përfundimtar.

Programi në shifra

  • 57 935 persona kanë përfituar nga viti 1991;
  • 10,4 % e tyre jetojnë në Québec;
  • 21 856 dollarë është e ardhura mesatare vjetore e deklaruar prej tyre në Kanada;
  • 47 487 dollarë është e ardhura totale mesatare vjetore e Kanadezëve;
  • 12 milion dollarë në vit kushton programi për qeverinë e Québec-ut;
  • 52 milionë dollarë shpenzohen në vit mesatarisht në Québec për programet e investitorëve emigrantë, subvencionet e ndërmarrjeve dhe ndihmën që u jepet emigrantëve për tu integruar.

 

Burimi: TVA/Journal de Montréal

Përgatiti Blerina Ruka/Albanian Montréal Press