Kanada

Toronto mbuluar me dëborë

  • Published in Kanada
Photo credit: Elbarin Kalaj

Pas stuhisë së djeshme të dëborës që s’kishte të pushuar, sot Toronto është me diell. Por kjo nuk do të thotë që akujt kanë shkrirë, as edhe dëbora ku tek-tuk janë hedhur thasë kripe. Lagjet duken të gjitha njëlloj, me dyer shtëpish të pastruara sa për të ecur në kolonë banorët, por kush ka patur takat ka pastruar ca metra më tepër.

Autobusët e shkollave sot e bënë pushim, rrjedhimisht edhe shumë fëmijë nuk shkuan në mësim. Fluturimet nga “Pearson Aeroport” u shtynë ose anuluan.

Qeveria lokale këtu nuk shpall emergjencë siç mund të ndodhë në vende të tjera. Borëpastrueset janë disi të ngadalta, gjë që reflektohet edhe në vështirësi qarkullimi e vonesa transporti, në disa raste edhe me aksidente rrugore e megjithatë jeta vazhdon njëlloj për të gjithë ata që punojnë.

Parashikimet thonë se gjithë java do jetë me temperatura të ulëta deri në -30 gradë celcius. Këshillohet të qëndrohet në ambiente të mbyllura më tepër sesa të ekspozohesh jashtë në të ftohtin e ardhur prej Albertas.

I ftohtë i tillë në Toronto me këtë trashësi dëbore është regjistruar në vitet 1966-1968, ku shtresa ka arritur nga 20.8-36,8 cm.

Por të mësuar me motin, kanadezët deri të premten do të vazhdojnë ta përballojnë me solidaritet dhe pozitivitet si për të justifikuar edhe klishenë që shoqëron imazhin e tyre nëpër botë “Be nice, be Canadian”.

 

Photo credit: Elbarin Kalaj