Bashkia Montréal do blejë mbi 900 autobusë të rinj për 1,35 miliard $
- Published in Kanada
Bashkia e Montréal-it autorizoi të mërkurën, 14 mars 2018, blerjen e më shumë se 900 autobusëve, nga të cilët 300 do të jenë autobusë hibridë që do ti shtohen flotës së transportit të qytetit nga sivjet deri më 2020. Kostoja e këtij investimi do të jetë 1,35 miliard dollarë.
Olivier Robichaud raporton për Huffingtopost.ca, që sipas vendimit përkatës, synimi i Bashkisë është vazhdimi i përmirësimit të rrjetit të autobusëve që administrohet nga STM, Shoqëria e Transportit e Montréal-it.
Përveç 300 autobusëve hibridë, të paralajmëruar disa herë me radhë nga kryetarja e Bashkisë, Valérie Plante, 165 mjete të tjera do ti shtohen shërbimit të përditshëm gradualisht deri më 2024. Gjatë të njëjtës periudhë, do zëvendësohen edhe 500 autobusë të tjerë.
Sipas Éric Alan Caldwell, i ngarkuari për transportin në Komitetin Ekzekutiv, “ky është një lajm shumë i mirë për qytetarët e Montréal-it, sepse mjetet e reja jo vetëm do rrisin kapacitetin e shërbimit të STM, por edhe do të përmirësojnë konfortin e përdoruesve”.
Autobusët e rinj do jenë të pajisur me parmakë në pjesën e përparme, me kamera, me sistem klimatizimi dhe dy vende të posaçëm për klientët që lëvizin me kolltukë me rrota. Paralelisht, Shoqëria e Transportit e Montréal-it do të blejë edhe katër midibus tërësisht elektrikë për të zëvendësuar ato që përdorin naftën, me një kosto shtesë prej 5,9 milion dollarë.
Burimi: Huffingtonpost.ca
@FlasShqip.ca












