Toronto - Pritet hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës
- Published in Kanada
Sipas njoftimit të një numri mediash online nga Prishtina, së shpejti do të hapet Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Toronto. I pari, Portali Periskopi ka publikuar dhe emrin e atij që mendohet se do jetë titullari i Konsullatës Kosovare në metropolin ekonomik të Kanadasë ku dhe është e përqëndruar pjesa dërrmuese e diasporës shqiptaro-kanadeze.
Bëhet fjalë për një emër të njohur nga fusha akademike dhe e gazetarisë. Është pikërisht Donat Syla, i cili raportohet si i emëruar Konsull i Përgjithshëm në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Toronto, me dekret të presidentit Hashim Thaçi të datës 8 mars 2018. Donat Syla është pedagog në Fakultetin e Filologjisë - Dega e Gazetarisë dhe në Radio Televizionin Publik të Kosovës (RTK) ka drejtuar më parë emisionin “Target”.
Hapja e Konsullatës së Kosovës në Toronto vjen menjëherë pas vizitës së një delegacioni të nivelit të lartë që drejtohej nga zv.Kryeministri dhe Ministri për Diasporën Dardan Gashi. FlasShqip i ka kërkuar konfirmimin e lajmit Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ottawa dhe është në pritje të përgjigjes zyrtare.
@FlasShqip.ca












