Kolumbia Britanike mbështet idenë e një treni të shpejtë Vancouver-Seattle-Portland
- Published in Kanada
Victoria – Radio Canada raporton se Qeveria e provincës së Kolumbisë Britanike do të mbështesë më një shumë prej 300 000 dollarë një studim fizibiliteti me interes kryesisht ekonomik, të iniciuar nga Shteti i Washington-it. Studimi lidhet me idenë e realizimit të një projekti treni me shpejtësi të lartë që do të lidhte Vancouver me Seattle dhe Portland në SHBA.
Ka qenë John Horgan, kryeministri NDP i provincës së Paqësorit, që e ka publikuar lajmin dje gjatë një takimi në Victoria, kryeqendrën e Kolumbisë Britanike, me Guvernatorin e Shtetit të Washington-it Jay Inslee. Nga ana e vet, Shteti i Washington-it ka njoftuar vënien në dispozicion të studimit në fjalë të një shume totale prej 1,2 milionë USD (1,6 milionë dollarë kanadezë). Guvernatori Inslee ka deklaruar gjithashtu që studimi pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.
Ka gati një dekadë që shumë politikanë, drejtues kompanish të mëdha por edhe banorë residentë nga të dy anët e kufirit, zhvillojnë një fushatë sensibilizuese për realizimin e linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë ndërmjet tre qyteteve. Sipas mbështetësve të këtij projekti, një tren i kësaj kategorie mund të udhëtojë me një shpejtësi deri në 400 km në orë përgjatë Cascadia (bregoqeani) çka do ta shkurtonte shumë kohën e udhëtimit dhe do reduktonte trafikun e rënduar. Nga ana tjetër, ekspertë të fushës, mendojnë që ky projekt mund të jetë me leverdi ekonomike edhe për sektorin e tregëtise dhe këmbimit të mallrave.
Një studim paraprak i bërë publik në dhjetor të vitit që shkoi, konkludonte që varësisht nga tipi i trenit të zgjedhur, shuma e domosdoshme për realizimin e projektit mund të shkojë deri në 42 miliardë dollarë dhe nënvizonte gjithashtu faktin se për të bërë të mundur matjen e efektit perfitues ekonomik duhen edhe disa 10 vjeçarë pas përfundimit.
Burimi: Radio Canada
@FlasShqip.ca












