Kanada

Pamjaftueshmëri mjekësh në Québec, studimet kontestojnë shifrat e Qeverisë

  • Published in Kanada

Instituti Ekonomik i Montréal-it përmes një studimi ka dhënë para disa ditësh paralajmërimin se në Québec ka më pak mjekë se shumica e vendeve të tjera të zhvilluara, duke hedhur poshtë në një farë mënyre pretendimin e Qeverisë për të kundërtën.  

Patrick Déry, analist i politikave publike dhe një kohësisht autor i studimit, pohon se vitin që shkoi është ulur kuota e pranimeve në fakultetet e mjekësisë dhe sipas argumentit të Ministrisë përkatëse, kjo është bërë me qëllim që të evitohet papunësia për mjekët që do të diplomohen në të ardhmen, me pretendimin se provinca ka aktualisht 2000 mjekë më shumë.

Por sipas studimit në fjalë, të publikuar të enjten 15 mars, një ndër pesë banorë të Québec-ut nuk ka mjek familje dhe listat e pritjes mbeten një problem shqetësues. Problem mbetet gjithashtu edhe koha e pritjes në shërbimet e urgjencave në spitale apo edhe kohëzgjatja për vizita tek mjekët specialistë.

Sipas statistikave, Québec ka 2,8 mjekë për 1000 banorë, proporcion pak më i lartë ky se mesatarja kanadeze por më i ulët se sa mesatarja e shumicës së vendeve të zhvilluara. Për ilustrim, Instituti Ekonomik i Montréal-it nënvizon se Australia numëron 3,5 mjekë për 1000 banorë ndërsa në se Québec-u do të kishte të njejtin proporcion si Austria, do ti duheshin 20 000 mjekë më shumë.

Autori i studimit është kategorikisht kundër vendosjes së kuotave në pranim nga fakultetet e mjekësisë. Kush e ka kapacitetin e mjaftueshëm për tu bërë mjek duhet ti jepet kjo mundësi, sepse kjo është e vetmja menyrë sipas tij, për të përmirësuar nivelin e ofertës së shërbimit shëndetësor. Kjo do të sillte gjithashtu rritjen e numrit të specialistëve në sektorin publik ku ka ende mungesë personeli mjeksor të mjaftueshëm.

Burimi: Journal de Montreal

Përgatiti Blerina Ruka/Albanian Montreal Press