Ontario: NDP premton mbulim të plotë për shërbimet dentare dhe grante falas për studentët
- Published in Kanada
NDP-ja e Ontario-s premton të mbulojë shpenzimet e kujdesit dentar dhe të barnave me recetë, në kuadër të planit universal të kujdesit shëndetësor, nëse partia formon qeveri pas zgjedhjeve provinciale të qershorit.
Udhëheqësja e NDP Andrea Horwath e bëri me dijë këtë plan të shtunën, në një aktivitet në qendër të Toronto-s, ku paraqiti pesë pika kryesore të platformës së saj zgjedhore.
"Ne do të bëjmë investimin më të madh publik në mbulimin e kujdesit dentar në historinë e Ontarios dhe do të sigurohemi që çdo punonjës në Ontario, çdo i moshuar dhe gjithashtu cdo person me asistencë sociale të mund të marrë e përfitojë kujdesin që i nevojitet”- tha ajo në një sallë të mbushur me mbështetës.
Përmes planit të quajtur “Përfitimet e Ontarios”, Horwath siguroi që banorët e Ontario-s, pavarësisht statusit të tyre, të punësuar ose në pension, apo të punësuar me kohë të pjesshme do të mund të përballojnë jetën dhe do ta kenë atë sa më të shëndetshme.
NDP gjithashtu premton rikthimin e Hydro One në ndërmarrje publike, përmirësimin e kujdesit për të moshuarit dhe fëmijët, kthimin e kredive studentore provinciale në grante që nuk do të duhet të paguhen dhe rritjen e taksave të korporatave.
Horwath nuk dha detaje se si do ti realizojë partia e saj këto premtime, por ajo siguroi që hollësitë do të bëhen publike gjatë shpalljes së platformës zgjedhore në javët në vazhdim.
Burimi: Radio Canada
@FlasShqip.ca












