Skandali Cambridge Analytica vë në lëvizje Shërbimin Sekret Kanadez
- Published in Kanada
Në vijim të skandalit Cambridge Analytica, qeveria kanadeze ka vënë në lëvizje ekspertët e shërbimit sekret per t’u siguruar që jeta private e qytetarëve eshtë mjaftueshëm e mbrojtur nga çdo lloj përdorimi abuziv i të dhënave private prej mediave sociale.
Sipas Radio Canada, Presidenti i Keshillit të Thesarit, Scott Brison, ka deklaruar dje në Ottawa që ka kërkuar ekspertizën e Qendrës për sigurinë e telekomunikacioneve, përndryshe Shërbimit të spiunazhit elektronik të Qeverisë Kanadeze. Brison, që mban aktualisht edhe postin e Ministrit par Interim për Institucionet Demokratike, ka komfirmuar gjithashtu se qeveria është e gatshme të miratojë ligje më të forta në lidhje me sigurinë e të dhënave personale, për të mbrojtur kësisoj më mirë përdoruesit e rrjeteve sociale.

Nga ana e saj, Partia e re Demokratike (NDP), i ka kërkuar Qeverisë Trudeau që në Samitin e ardhshëm G7, të militojë në favor të hartimit të një kuadri rregullator ndërkombëtar me qëllim kontrollin më efikas të aktivitetit të mediave sociale si Facebook. Deputeti Charlie Angus ka shkuar më tej duke nënvizuar faktin qe gjigandët si Facebook, që mund të deformojnë edhe rezultate zgjedhjesh, duhet te japin llogari për aktivitetin e tyre. Deputeti Neo-demokrat, me profesion gazetar, beson qe Facebook ka një përgjegjësi ndërkombëtare për sa i takon mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve të tij ndaj çdo keqpërdorimi. Sipas tij, Facebook është tolerant në këtë drejtim dhë në se i besohet të dhënave mbi skandalin, rezulton që Cambridge Analytica ka përfituar nga të dhënat personale të përdoruesve të Facebook per te krijuar atë që ai e quan “makina e propagandës ideale”.

Sipas disa hulumtimeve te kohëve të fundit të New York Times, të gazetës britanike The Observer dhe medias tjetër britanike Channel 4 News, Cambridge Analytica, një kompani e specializuar në analizën e të dhënave me zyra qendrore në New York, ka përdorur të dhënat private të miliona personave për krijimin e një programi që mundëson parashikimin dhe influencimin e votës së zgjedhësve.
@FlasShqip.ca












