Kathleen Wynne premton 2,1 miliard dollarë për kujdesin ndaj shëndetit mendor
- Published in Kanada
Toronto - Sipas Radio-Canada, Kryeministrja e Ontarios, Kathleen Wynne, ka bërë publik të mërkurën më 21 mars, një program investimi 4 vjeçar prej 2,1 miliardë dollarë për “rigjenerimin” e shërbimeve të kujdesit ndaj shëndetit mendor. Për numrin një të qeverisë së Ontarios, ky do të jetë investimi më i madh i këtij lloji në rang Kanadaje. Por ky njoftim, po të kihet parasysh që së shpejti do të zhvillohen zgjedhjet, tani për tani duket se mbetet një premtim elektoral. Ai mund të bëhet realitet vetëm në rast fitoreje të Partisë Liberale.
Po cilat ishin premtimet konkrete që paraqiti Kathleen Wynne? Së pari, rritja e numrit të të rinjve që mund të përfitojnë nga shërbimet e terapisë dhe ato këshillimore nga 12 000 në 2018-2019, në 46 000 në dy vjeçarin 2020-2021. Së dyti, rekrutimi brenda 2 viteve i 400 specialistëve në shëndet mendor dhe atashimi i tyre në të gjitha shkollat e mesme te provincës. Së treti, ndërtimi i 2475 banesave me shërbime mbështetëse për persona që kanë nevojë për kujdes në fushën e shëndetit mendor. Së katërti, sherbime psikoterapie për një numër shtesë prej 350 000 personash që ndeshen me probleme si ankthi apo depresioni i lehtë dhe i moderuar dhe së fundi, një financim specifik për shërbimet ndaj frankofonëve.
Një shumë prej 116 milionë dollarë e shtrirë si investim në katër vjet, parashikohet sipas premtimit të liberalëve të përdoret për shërbimet ndaj atyre që konsiderohen si grupe prioritare, në te cilat hyjnë dhe frankofonët. Lidhur më këtë grup të fundit, është shprehur dhe Dr. Sylvain Roy, Kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Ontarios, sipas të cilit ofrimi i kujdesit për shëndetin mendor në gjuhën e Molierit në provincë mbetet ende një sfidë shumë e madhe.
Tjetër masë e publikuar ka qenë edhe vendosja e një linje telefonike asistence me zë dhe me tekst, disponibël 24/24 dhe 7/7 e parashikuar të bëhet efektive më 2021. Për personat që do kërkojnë asistencë, depistimi i sëmundjes mendore apo i toksikomanisë do bëhet brenda ditës sipas premtimit të liberalëve.

Në komunikimin e saj, Kathleen Wynne, sipas sondazheve humbëse në zgjedhjet e pritshme, është përpjekur të argumentojë që ky nuk është një premtim elektoral sepse çështja e shëndetit mendor shkon përtej ndarjeve ideologjike partiake.
Ndërkohë, lidhur me të njejtën temë, premtimi i konservatorëve qysh nga vjeshta e kaluar ka qenë që në se do të vijnë në pushtet, ata do të investojnë për një periudhë kohore 10 vjeçare 1,9 miliardë dollarë. Gjithsesi, me ardhjen e Doug Ford në krye të tyre, mundet që qasja konservatore ndaj problemeve të kujdesit për shëndetin mendor të ndryshojë.
@FlasShqip.ca












