Kanada

Montréal - Rifillojnë projektet e banesave sociale

  • Published in Kanada

Qeveria provinciale e Québec-ut ka vendosur t’ja transferojë Bashkisë se Montréal-it një pjesë të konsiderueshme të kompetencave në fushën e strehimit, gjë që do të mundësojë sërish ndërtimin e banesave sociale. Ky transferim kompetencash do të shoqërohet edhe me një buxhet prej 116 milionë dollarë në favor të metropolit për këtë vit, shumë e cila do të vijë në rritje për një periudhë 5 vjeçare në vazhdim.

Aktualisht qeveria e provincës frankofone është në proces rikonfigurimi të raporteve të saj me bashkitë. Pjesë e këtij procesi duket se ka qenë edhe nënshkrimi zyrtar para disa ditësh i Marrëveshjes për kompetencat në fushën e strehimit mes kryetares Valérie Plante dhe ministrave Lise Thériault (Strehimi) dhe Martin Coiteux (Pushteti Lokal).

Kryeqendra ekonomike e provincës do të përfitojë këtë viti 94 milionë dollarë për dy programe nën përgjegjësinë e saj, AccèsLogis (ndërtim banesash të reja sociale) dhe Rénovation Québec (rinovim i banesave ekzistuese). Qeveria e Québec-ut do t’i shtojë shumës së parë edhe një paketë të dytë prej 22 milionë për kompensimin e vonesës së krijuar për shkak të bllokimit prej disa vjetësh të projekteve në këtë fushë. Fondet e transferuara nga totali i buxhetit qeveritar për strehimin në Montréal, do të rriten gradualisht nga 36% sivjet në 40% pas 5 vjetësh.

Sipas Ministrit të Pushtetit Lokal, Martin Coiteux, ky transferim kompetencash i shoqëruar me buxhetin përkatës i mundëson nga një anë bashkisë t’i përcaktojë vetë prioritetet pa nevojën e aprovimit nga qeveria dhe nga ana tjetër të zvogëlojë efektet e eksodit të familjeve të reja të cilat largohen drejt rrethinave për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm për të përballuar çmimet e tregut të banesave në Montréal.

Nga ana e saj, kryebashkiakja Valérie Plante, e ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm marrëveshjen pikërisht për faktin se kompetencat do kenë në mbështetje buxhetin e nevojshëm gjë që mendohet se do bëjë të mundur edhe realizimin e njerit nga premtimet e saj gjatë fushatës elektorale, pikërisht ndërtimin e 12 000 banesave sociale dhe komunitare brenda këtij mandati.

Burimi: La Presse

Përgatiti: Blerina Ruka/Albanian Montréal Press