Kanada

Produktet alkoolike shqiptare dhe tregu kanadez (2) - Flet eksperti Nikolin Musabelliu

  • Published in Kanada
Nga: Taulant Dedja

Në shkrimin e parë kushtuar tregut kanadez të pijeve alkoolike dhe mundësive të importimit të produkteve shqiptare, përmes bisedës me Alqi Karanxha (General Manager i Qendrës së Shërbimit në Toronto) shpjeguam që LCBO, The Liquor Control Board of Ontario, është një korporatë shtetërore që tregëton dhe shpërndan pijet alkoolike në provincën kanadeze të Ontarios ku ndodhet dhe metropoli ekonomik i Kanadasë, Toronto. LCBO raporton tek Ministria e Financave në Ontario. Shitja e pijeve alkoolike në Ontario ka qenë e ndaluar që në vitin 1916, kështu që krijimi i LCBO mundësoi shitblerjen e alkoolit në provincë. Aktualisht LCBO ka rreth 650 dyqane në të gjithë provincën dhe ka një shitje totale prej më shumë se 6 miliardë dollarë. LCBO është një monopol qeveritar në provincën më të populluar të Kanadasë, Ontario (13 milion banorë ose 40% e popullsisë totale të Kanadasë). Aktualisht, LCBO është blerësi më i madh i pijeve alkoolike në botë. Restorantet dhe baret, në bazë të ligjit duhet të blejnë pijet alkoolike përmes LCBO.

Edhe një herë po kujtojmë që në LCBO vijnë produkte nga të gjitha vendet europiane dhe ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë. Theksojmë sërish që nuk është shumë e rëndësishme sa i madh është vendi nga pikpamja e territorit dhe popullsisë, por janë faktorë të tjerë që hyjnë në lojë. Me modesti shpresojmë të nxisim me këtë cikël shkrimesh iniciativa për importin në Kanada të produkteve alkoolike shqiptare, si një mundësi jo vetëm për të kontribuar në rritjen e këmbimeve ekonomike midis dy vendeve, por edhe për të promovuar në Kanada, produktet dhe traditën shqiptare në këtë fushë, traditë e cila vjen që nga lashtësia.

Sot vijon biseda e dytë me Nikolin Musabelliun, aktualisht punonjës i LCBO, E-Commerce Department, diplomuar pranë Universitetit të Viterbos (Itali) për Vreshtari dhe Shkenca vere i cili mban edhe titullin Master në Mbrojte bimësh dhe Enologji. Si një ndër ekspertët më të mire të fushës në fjalë, lektor pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës i lëndës Enologji (Fakulteti i Ushqimit dhe Bioteknologjisë, Departmenti i Bioteknologjisë) si dhe për vite me radhë konsulent pranë projekteve të Bashkimit Europian dhe organizatave të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, ai na shpjegon traditën, që vjen qysh nga lashtësia si  dhe evoluimin e sektorit gjatë viteve të fundit, duke e vënë theksin te fakti që më me interes mbetet importimi i produkteve nga varietetet autoktone. Gjithashtu, Nikolini ofroi edhe një listë të kantinave më të suksseshme bashkë me listën e varieteteve mbi të cilat bazohet prodhimi i verërave në Shqipëri.

T.D: Cila është shkurtimisht tradita shqiptare e prodhimit të pijeve alkoolike?

Nikolin Musabelliu: Shqipëria ka një nga traditat më të vjetra të prodhimit të verës në Europë, që daton nga Epoka e Bronzit. Gjatë periudhave romake dhe bizantine, prodhimi i verës në vend u rrit ndjeshëm. Plini, i cili ka jetuar në shekullin e parë pas Krishtit, përmend qytetarët e Dyrrahut që kultivonin Baliskun, një lloj rrushi që e kishin përcjellë deri në Spanjë, ku quhej Kokolob. Kjo lloj hardhie autoktone gjendej në bregdetin jugor shqiptar dhe populli e ka emërtuar Vlosh. Straboni shkruan për Ilirinë: “Gjithashtu i ngrohtë e frytdhënës është ky vend sepse ka plot ullishta dhe vreshta të mira. Ilirët eksportojnë verë në Romë që e mbajnë në enë druri”. Aristoteli i madh gjithashtu përmend një lloj vere të bërë nga fisi i Taulantëve që tharmëtohej me anë të mjaltit.

Gjatë Mesjetës numëroheshin disa familje fisnike të cilat kishin përzgjedhur dhe tipizuar kultivarë hardhish. Kështu, Blinishtët dhe Dukagjinët, të cilët zotëronin Mirditën e më tej, punonin me “Kallmetin”; Balshajt me “Vranacin”; Muzakajt, Shpatajt, Topiajsit, të cilët zotëronin ultësirën bregdetare të Vjosës, u morën me “Vloshin”; Kastriotët me “Cerunë” dhe pinjollët e Topiajve në Durrës-Krujë-Tiranë, punuan me “Sheshin”. Me pushtimin e vendit nga Perandoria Osmane, shumica e familjeve fisnike u shuan dhe për këta kultivarë e vreshta përkatëse, kryesisht u përkujdesën manastiret e kishat pranë tyre.

Humanisti Frang Bardhi, në vitet ‘30 të shekullit të XVII, në parashtesën që i dërgonte Vatikanit shkruante se janë përzgjedhur vreshtat nga do të merret rrushi për prodhim vere që është e përcaktuar për në Vatikan. Këto vreshta përqëndroheshin në trevën e Zadrimës, ku mbizotëronte kultivari vendas “Kallmet”, me emër të shquar në disa vende të Evropës, për cilësinë e veçantë të rrushit dhe të verës.

Evlia Çelepia, që udhëtonte nëpër Shqipëri, gjatë viteve 1660-1670, shkruan se Elbasani kishte 20 mijë dynymë me vreshta, Shkodra 23 mijë dynymë, Skrapari 70 mijë dynymë. Krahas shtresave të tjera të popullsisë, spikaste edhe ajo e vreshtarëve.

Për të ardhur tek periudha pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, prodhimi i alkoolit dhe i pijeve alkolike në rrugë industriale në vendin tonë ka filluar për here të parë në Shkodër në vitin 1921, ndërsa në 1923, Siri Bej Vlora, do të hapte distilerinë “Skënderbeg” pranë Ujit të Ftohtë, Vlorë. Ne vitin 1926 distileria u mor me qira nga vëllezëri italianë Vincenzo dhe Roberto Allegro, të cilët nga viti në vit e zgjeruan aktivitetin e tyre në Shqipëri. Vëllezërit Allegro, para ardhjes së tyre në Shqipëri, kishin patur biznese në Napoli e Romë. Ata kishin lidhje farefisnore edhe me sipërmarrës të mëdhenj italianë të kohës dhë kështu në vitin 1929, krijuan në Napoli Shoqërinë Anonime “Industria Albanesi S.A.” me një kapital fillestar 300.000 lireta italiane. Kjo shoqëri, në vitet më pas, do të thithte distilerinë “Skënderbeg” në Vlorë. Po kështu, në vitin 1928, investitori Italian Umberto Umberti dhe ai shqiptar Selim Mborja, nisën projektin për ndërtimin e Fabrikës “Birra Korça”.

T.D: Si ka evoluar ky sektor në periudhat e mëvonshme dhe sidomos në dekadat e fundit? 

Nikolin Musabelliu: Pas vitit 1945, sipërfaqet e mbjella me vreshta u rritën në mënyrë të konsiderueshme, nga 2,430 ha në vitin 1950 në 12,320 ha në vitin 1970 dhe vazhduan të rriteshin derisa arritën kulmin në vitet 1980 me një sipërfaqe totale prej 20,000 ha, e organizuar kjo në kooperativa dhe ferma shtetërore. Gjatë periudhës 1945-1990, kishte disa kantina operative dhe vende të prodhimit të rrushit të menaxhuar vetëm nga sistemi, jo nga pronarë privatë.  

Në fillim të viteve 1990, pas reformave, trazirave dhe shpërbërjes së menjëhershme të sistemit të kooperativave, sektori bujqësor pësoi dëme të rënda. Sipërfaqja e mbjellë me vreshta në Shqipëri u zvogëlua me rreth ¾ nga viti 1989 deri në vitin 1994, duke qenë se kolapsi i plotë i prodhimit të bazuar në ekonominë e planifikuar shkaktoi një dekolektivizim radikal dhe fragmentizim të bujqësisë shqiptare.

Varietetet vëndase të rrushit shqiptar janë: Kallmeti, Sheshi, Debina, Pulës, Serina, Manakuqi, Cerruja dhe Vlosh. Industria agropërpunese e verës ka shënuar rritje në vitet e fundit dhe në Shqipëri operojnë aktualisht rreth 250 kantina, por duhet theksuar që nga këto, janë vetëm 20 kantina të cilat mbajne peshën kryesore të prodhimit. Në vitin 2016, sasia e eksportuar nga vendi ynë jashtë ishte 150 hektolitra verë, pra rreth 100.000 shishe.

T.D: A mund të rendisni produktet shqiptare që kanë hyrë në tregun europian, me çfarë volumi dhe në cilat vende të BE?

Nikolin Musabelliu: Produktet si vera, mjalti, vaji i ullirit, gështenjat, kërpudhat dhe bimët medicinale janë produkte vazhdimisht në rritje përsa i përket eksportit. Sipërmarrësit e kësaj kategorie kanë qenë në një sfidë të vazhdueshme përsa i përket përmbushjes së standarteve për produktet e tyre, jo vetem për eksport por edhe për konsumatorin vendas.

Bimët medicinale, vazhdojnë ta rendisin Shqipërine si eksportuesen e parë në Evropë. Shqipëria eksporton rreth 30 milionë euro në bimë medicinale çdo vit në një industri që punëson mijëra fermerë, veçanërisht në Shqipërinë e veriut. Jo të gjithë e dinë që rreth 70% e sherbelës që tregtohet në SHBA është e eksportuar nga Shqipëria, gjë që e bën vendin tonë furnizuesin kryesor për tregun amerikan.

Vaji i ullirit mbetet i veçantë për vlerën autoktone të varieteteve shqiptare. Prodhuesit kryesorë të vajit të ullirit, që janë edhe eksportues, janë pothuajse të pajisur me të gjitha çerfitikimet e standardeve ndërkombëtare, por edhe një ambalazh cilësor, çka e bën këtë produkt të denjë përballë konkurrentëve të tregjeve të huaja. Për fatin tonë të mirë mbetemi konkurrues me vajin e ullirit për shkak se fermerët shqiptarë nuk përdorin preparate për të stimuluar rritjen e frutit.

Shqipëria eksporton vajin e ullirit kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni por nuk mbeten pas edhe vende si Zvicra, Kenia, Shtetet e Bashkuara apo Britania.

Disa nga prodhuesit e vajit të ullirit janë “Musai” Vlorë, “Shkalla” Tiranë, “Subashi” Marikaj, “Postoli” Tiranë, “Skilja” Elbasan. Në 2017 Shqipëria eksportoi 114.000 litra vaj ulliri.

Shqipëria gjithashtu performon mirë në prodhimin e portokallit me një prodhim prej më shumë se 9,000 tonë nga 200 hektarë, duke u renditur në vendin e tetë të prodhuesve në Evropë.

Kryesisht e prodhuar në rajonin shqiptar të Tropojës në verilindje, gështenja shqiptare depërtoi me shpejtësi në tregjet e BE në vitet e fundit, me shumicën e eksporteve të destinuara për në Itali.

Industria e verës, ka shtuar prezencën në tregje të reja nëpërmjet eksportit. Prodhuesit shqiptarë të verës, u vlerësuan me medaljen e artë dhe të argjendtë, në panairin Ballkanik të verës në vitin 2016, duke u vlerësuar për varietetet autoktonë Kallmet, Shesh dhe Pulës.

T.D: Cilat mund të jenë verërat shqiptare që mund të jenë konkuruese në tregun kanadez? A mund të veçoni prodhuesit më të suksesshem dhe varietetet përkatëse?

Nikolin Musabelliu: Për të qenë sa më konkret në informacion po i rendis si më poshtë duke insistuar që me interes mbetet importimi i varieteteve autoktonë, pra produktet origjinale me identitet shqiptar:

Kantina “Çobo” Berat: Vera në këtë kantinë prodhohet nga varietete autoktonë si Pulës, Vlosh, Kallmet, Sheshi i Bardhë, Sheshi i Zi, Serinë. Në këtë kantinë prodhohen pesë lloje verërash të thata si: Kashmer, E Kuqja e Beratit, E Bardha e Beratit, Sheshi i Bardhë dhe Sheshi i Zi. Kompania ka arritur të eksportojë sasi të vogla vere në Zvicër dhe në Hong-Kong. Aktualisht “Çobo” prodhon rreth 100 mijë shishe verë në vit.

Kantina “Arbëri” Mirditë : Kjo kantinë ka një kapacitet prodhues prej 3000 HL dhe varietetet e rrushit që përdoren janë Kallmet dhe Shesh i Bardhë. Në këtë kantinë prodhohen tre lloj verash: Kallmet i Bukmirës, Kallmet Reserva, Shesh i Bardhe. Kompania ka arritur të eksportojë sasi vere në USA dhe Belgjikë.

Kantina “Skenderbeu” Durrës: Kantina është dalluar gjithnjë për produktet e saj cilësore, është kjo arsyeja që prodhimet e saj prej vitesh janë eksportuar. Deri në vitin 1990 eksporti “Konjak Skënderbeu” (sot “Skënderbeu Brandy”) ka qenë i fokusuar pothuajse në të gjitha vëndet e Europes Lindore si: Rusi, Çeki, Sllovaki, Poloni, ish-Jugosllavi, si dhe më pas në USA.

Kantina “Caco” Pogradec: Në këtë kantinë prodhohen disa lloje verërash të thata. Produkti kryesor është Pamid (varietet bullgar).

Kantina “Nurellari” Berat: Kjo kantinë në konkursin ballkanik “Ballkan International Competition 2016”, në Sofje, Bullgari, u vlerësua me “Medalje Argjendi” për verën “Pulësi i Beratit” 2015. Në këtë kantinë prodhohen disa lloje verërash si Pulësi, Serina e zezë, Reserva Superiore, Montemeca. 

Kantina “Kokomani” Shijak: Në këtë kantinë prodhohen disa lloje verërash të thata nga varietete autoktone Shesh i Bardhë dhe i Zi.

Kantina “Bardha” Marikaj: Prodhon disa lloje verërash të thata nga varietete autoktonë Sheshi i Bardhë, Shesh i Zi, Mavrud (varietet bullgar).

Kantina “Balaj” Vlorë: Prodhon Vlosh dhe Shesh i Bardhë.

Kantina “Belba” Kavajë: Prodhon Shesh i Zi dhe Shesh i Bardhë

Kantina “Kallmeti” Lezhë: Vera aty prodhohet nga varieteti autokton Kallmet. Produkti kryesor quhet Kallmet Prestigj.

Kantina “Uka” Tiranë: Produkte kryesore janë Ceruja dhe Kallmet.

Kantina “Rilindja” Korçë: Produkti kryesor Shesh i Zi.

Kantina “Zika” Memaliaj: Produkti kryesor Derveni.

T.D: Unë kam provuar një pjesë të mirë të këtyre verërave (madje mē vjen mirë që tradita ka nisur qysh me fisin e Taulantëve) dhe me plot bindje them se disa prej tyre mund të jenë konkuruese dinjitoze në tregun kanadez, nëse do të kenë marketingun e duhur. Por siç e theksoi për FlasShqip menaxheri i LCBO Alqi Karanxha, nuk mjafton vetëm dëshira e prodhuesit për të konkuruar jashtë kufijve të Shqipërisë, por edhe angazhimi i shtetit, përmes përfaqësive diplomatike duhet të jetë më i madh. Në fund të fundit, përveç njerëzve me sukseset e tyre, Shqipëria mund të njihet edhe përmes produkteve të saj. Faleminderit Nikolin dhe uroj që së shpejti të bëjmë gëzuar me verë shqiptare në LCBO.

Tetor 2019

©FlasShqip.ca