Helmimi i agjentit rus: Kanadaja dëbon 4 diplomatë, SHBA 60, Shqipëria 2
- Published in Kanada
Sipas The Globe and Mail, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikes, janë bashkuar në një përpjekje mbarëbotërore për të ndëshkuar Rusinë, me dëbimin e më shumë se 100 diplomatëve nga vendet aleate në pergjigje të helmimit të një ish-agjenti sekret rus dhe vajzës së tij, në Britani.
Kryediplomatja Kanadeze Chrystia Freeland, njoftoi dje se Kanadaja po dëbon 4 diplomatë ruse dhe ka refuzuar tre aplikime nga qeveria ruse për të shtuar stafin diplomatik, menjëherë pasi Presidenti Amerikan, Donald Trump, urdhëroi dëbimin e 60 Rusëve nga Shtetet e Bashkuara dhe mbylli Konsullaten Ruse në Seattle po dje në mengjes. Këto masa duket se u morën në vijim të reagimit të kancelarive të më shumë së një duzine vendesh evropiane dhe Ukrainës, që gjithashtu dëbuan zyrtarë Rusë – në shenjë solidariteti me Britanine pas helmimit që ndodhi në Salisbury këtë muaj. Në listën e publikuar nga The Globe and Mail figuron edhe Shqipëria, e cila nga ana e saj do dëbojë 2 diplomatë Rusë.
Ministrja e Jashtme Freeland, pohoi që 4 diplomatët Rusë që dëbohen, kanë shërbyer si oficerë të shërbimit të fshehtë ose kanë përdorur statusin e tyre diplomatik për të dëmtuar sigurinë e vendit. “Helmimi në Salisbury, në tokën e partnerit dhe aleatit të ngushtë të Kanadasë, është një akt i neveritshëm dhe i tmerrshem që rrezikon potencialisht jetën e qindra njerëzve. Kjo është pjesë e një politike zyrtare dhe e qëndrimeve të papranueshme të Rusise, duke përfshirë bashkëpunimin me regjimin e Asadit në Siri, aneksimin e Krimesë, luftimet e udhëhequra prej saj në Ukrainën Lindore, mbështetjen ndaj konflikteve civile në Ukrainë, Gjeorgji, Moldavi dhe vende të tjera fqinjë, ndërhyrjet në zgjedhje dhe fushatat keqinformuese”- kanë qenë fjalët e deklaratës së saj.
Nga ana e tij, Ministri i Transportit Marc Garneau, i cili gjithashtu ka komunikuar me mediat, shpjegoi që tre nga diplomatët që do dëbohen punojnë në Konsullatën e Përgjithshme Ruse në Montreal ndërsa i katërti në Ambasadën e Federatës Ruse në Ottawa. Brenda 10 ditëve ata duhet ta lenë territorin kanadez.
Kryeministrja Britanike, Theresa May, implikoi drejtpërdrejt Rusinë në helmimin e ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, 66 vjeç dhe vajzës së tij 33 vjeçare, Julia. Sipas hetuesve britanikë, Skripalët u ekspozuan ndaj një lloj helmi të krijuar nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1980. Të dy ndodhen në spital në gjendje kritike.

Qeveria Ruse, e cila ka hedhur poshtë akuzat, e quajti dëbimin e koordinuar të diplomatëve një “hap jo miqësor” dhe kritikoi ato vende që u solidarizuan me Londrën sa i takon fajësimit të Rusisë për sulmin. “Ne shprehim protestën tonë të fortë, në vazhdën e vendimit të marre nga një numër vendesh anëtare të BE dhe NATO-s për të dëbuar diplomatët Rusë. Aleatët britanikë nuk kanë të dhëna objektive dhe të hollësishme, dhe ndjekin verbërisht parimin e unitetit Euro-Atlantik, duke cënuar rregullat e dialogut midis shteteve dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Eshtë e qartë se ky veprim jo miqësor nga vendet e këtij grupi, nuk do të mbetet pa reagim nga ana jonë”, - ka qenë deklarata zyrtare e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme Ruse po dje.
Edhe Ambasada Ruse në Ottawa publikoi deklaratën e saj në Twitter, duke e quajtur veprimin e Qeverisë Kanadeze “të mjerueshëm dhe të egër”. “Ky veprim jo miqësor nën pretekstin e rremë dhe të njëanshem, sjell përsëri një goditje tjetër serioze ndaj marrëdhënieve Rusi-Kanada, veprim ndaj të cilit do të përgjigjemi me vendosmëri dhe reciprocitet”, - thotë deklarata në fjalë.
Gjithsesi, Ambasada Ruse dhe Global Affairs Canada, nuk ju pergjigjën pyetjes në lidhje me identitetin e diplomatëve të dëbuar, por Ministrja Freeland theksoi që sanksionet nuk kanë për objektiv popullin rus, “me të cilin kanadezët kanë lidhje të gjata dhe të frytshme”. Sipas kësaj të fundit, Kanadaja mbetet e angazhuar për dialog dhe bashkëpunim me Rusinë në fushat ku vendet përballen me sfida të përbashkëta.
Për The Globe and Mail ka folur dje edhe Jeremy Kinsman, ish-ambasador kanadez në Rusi, sipas të cilit, raporti dypalësh është përkeqësuar deri në ate pike ku, perveç pranisë së ambasadave në vendet respektive, të dy qeveritë kanë “pothuajse zero marrëdhënie”. “Marrëdhëniet janë më të këqija se çdo herë tjetër që unë mund të kujtoj. Edhe në ditët më të këqija të Luftës së Ftohtë ne ende luanim hokej”- ka pohuar Kinsman, diplomat me karrierë 50 vjeçare i cili ka shërbyer si ambassador i Kanadasë në Moske nga 1992 deri në 1996.
Burimi: The Globe and Mail
Përgatiti: Ariola Mani












