Kanada

Kathleen Wynne premton kopshte falas për fëmijët nën moshën parashkollore

  • Published in Kanada

Kryeministrja liberale ontariene, Kathleen Wynne, ka vazhduar edhe sot me deklarimet e saj parazgjedhore, duke iu premtuar prindërve të fëmijëvë nga 2,5 vjeç deri në moshën e klasave parashkollore, shërbim falas për çerdhet dhe kopshtet. Sipas Radio Kanada, ky premtim do të bëhet realitet në vitin 2020, me kushtin që Wynne të rifitojë përsëri shumicën në zgjedhjet e pritshme të 7 qershorit 2018.

Sipas përllogaritjeve, prindërit do mund të kursejnë mesatarisht 17 000 dollarë në vit si rezultat i kësaj politikë të shpallur nga liberalët, kostoja buxhetore e të cilës, e shtrirë në një afat kohor tre vjeçar, arrin shumën 2,2 miliardë dollarë.

Po kështu, sipas premtimit të Kryeministres, parashikohet që duke filluar nga viti 2020, të aplikohet edhe një skemë e re pagese për punonjësit e çerdheve dhe  kopshteve, në mënyre që kjo pagësë të korrespondojë më mirë me pagesën e edukatoreve dhe edukatorëve të klasave parashkollore.

“Duke lehtesuar dhe përmirësuar këtë shërbim, prindërit dhe në veçanti nënat, do të kenë një liri më të madhe për të vendosur mbi momentin se kur do të rikthehen në punë, çka do ta afrojë Ontarion më shumë me objektivin e barazisë gjinore edhe në paga”- ka deklaruar Zyra e Kathleen Wynne.

Burimi: Radio Kanada