Kanada

Buxheti i Ontarios: deficit 6,7 miliardë, premtime elektorale dhe të ardhura nga legalizimi i kanabisit

  • Published in Kanada

Ministri i Financave të Ontarios, Charles Sousa, ka paraqitur dje përpara deputetëve të provincës buxhetin e ri, realizimi i të cilit është i kushtëzuar nga rezultati i zgjedhjeve të pritshme të 7 qershorit, raporton Radio Canada.

Vetëm 6 javë nga shpallja zyrtare e fushatës zgjedhore, qeveria liberale duket se ka hapur “rubinetin” e premtimeve dhe ka deklaruar se do të marrë përsipër rimbursimin deri në masën 80% të shpenzimeve individuale për medikamentet, krahas angazhimit të shpallur qysh të hënën e kaluar lidhur me ofrimin e shërbimit falas të kopshteve për fëmijët e moshës parashkollore.

Në total, shpenzimet e premtuara nga liberalët, të shtrira në një afat kohor prej tre vjetësh, arrijnë shifrën 20,3 miliardë dollarë. Që kjo të realizohet, buxheti do të zhytet sërish në deficit dhe ky deficit nuk do mund të kapërcehet pa kaluar të paktën 6 vjet. Ndryshe nga ç’pritej, qeveria nuk ka parashikuar për momentin fonde lidhur me krijimin e Universitetit Frankofon të Ontarios.

7 gjëra për tu nënvizuar nga buxheti liberal

  1. Deficit prej 6,7 miliardë dollarë në periudhën 2018-2019;
  2. Program i ri për sigurimet dentare dhe të medikamenteve në favor të personave që nuk kanë sigurim suplementar nga punëdhënësi;
  3. Kopshte falas për fëmijët nga 2,5 vjeç deri në klasën parashkollore;
  4. 750$ më shumë në vit për të moshuarit mbi 75 vjeç që zgjedhin të jetojnë në shtëpitë e tyre;
  5. Rritje me 20% e buxhetit të Ministrisë për Frankofoninë;
  6. Të ardhura 35 milionë nga taksa mbi kanabisin;
  7. Rritje 4$ për kuti e taksës mbi duhanin;

Legalizimi i kanabisit

Legalizimi i përdorimit të kanabisit për qëllime rekreative në verën e ardhshme do ti kushtojë buxhetit të Ontarios rreth 40 milionë dollarë për shkak të hapjes së magazinave provinciale të tregëtimit. Por sipas Ministrisë së Financave, në një periudhë afatmesme, parashikohet që ky legalizim të sjelle në zërin të ardhura më shumë se 200 milionë dollarë në vit.

Pjesa e Ontarios nga taksa federale mbi kanabisin do të jetë 35 milionë (2018-2019), 80 milionë (2019-2020) dhe 115 milionë (2020-2021), ndërsa të ardhurat neto të parashikuara për Kompaninë Ontariene të shitjes së kanabisit do arrijnë shifrën 100 milionë dollarë deri në vitin 2020.

Reagime nga opozita për buxhetin

Buxheti i ri liberal ka sjellë dhe reagimet në kampin e opozitës. Për kreun e sapozgjedhur të konservatorëve, Doug Ford, "Kryeministrja po tenton të blejë vota me premtime që kushtojnë miliarda dhe me të ardhura të supozuara". Ndërsa për deputeten Neodemokrate France Gélinas, "ky nuk është buxhet por program elektoral, për shkak se Kathleen Wynne bën çdo ditë nga një deklaratë e cila mund të behet realitet vetëm në rast rizgjedhje të saj edhe për një mandat tjetër".

Burimi: Radio Canada

@FlasShqip.ca