Kanada

Liria Prishtina, një shqiptare mes fituesve të Oscars 2020

  • Published in Kanada

Më 9 Shkurt u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar. Mes emrave të njohur të kinemasë dhe industrisë së filmit ishte dhe një artiste me origjinë shqiptare. Ajo quhet Liria Prishtina (Pristine). Liria ishte pjesë e ekipit fitues të Çmimit Oscar për kostumografinë në filmin “Little Women”.

Liria është e bija e Fisnikut, një biznesmen i suksesshëm në Toronto dhe mbesa e Hysenit, ish-prefektit të kryeqytetit të Kosovës në vitin 1941.

Lajmin që mes fituesve të Oscar ishte dhe Liria e bëri me dije i ati i saj Fisniku në Facebook, i cili me krenari dhe gëzim njoftoi se modelimet e të bijës ndihmuan ekipin të fitonin Oscar sonte për kostumet. Në kllapa ai shton se nëse do të pyesim atë, gjithçka është bërë nga vajza e tij.

Në fakt kur sheh blogun e Liries, apo në instagram me lehtësi konstaton talentin e padiskutueshëm të saj. Kjo është një nga punët e saj të mëparshme.

Liria ka studiuar në Londër. Pas kolegjit Camberwell ajo ndoqi shkollën e modës. Në fakt kishte shkuar të bëhej një ekonomiste por në gjysëm të rrugës e kuptoi se nuk ishte karriera e duhur. Kështu, si një Prishtinase e vërtetë, e palodhur dhe me vullnet të fortë, ajo iu dedikua modës dhe ia doli të shkojë atje ku artistët ëndërrojnë. Mes më të mirëve.

Sot filmi “Little Women” u nderua me Oscar. Por për ne shqiptarët e Torontos, Oscarin e mori Liria Prishtina.

©FlasShqip.ca