Kanada

Parku më i ri në Montréal do quhet Mary Griffin

  • Published in Kanada

Montréal-it do t’i shtohet një park i ri me emrin Mary Griffin, gruas që i dha emrin lagjes “Griffintown”. Kjo është një iniciativë e Bashkisë për t'i lënë më shumë hapësirë gjinisë femërore në toponiminë urbane të qytetit.

“Griffintown” është një lagje e vjetër punëtorësh në Jug-Perëndim të Montréal-it, e vendosur midis rrugës Notre-Dame, autostradës Bonaventure dhe bulevardit Georges-Vanier, në veri të kanalit Lachine. Propozimi që pritet të marrë miratimin në Këshillin Bashkiak do të transformojë në park një perimetër, aktualisht parking, midis rrugëve Ann, Dalhousie, William dhe Ottawa.

Emri i Mary Griffin u rekomandua nga drejtuesit e projektit Toponym'Elles, një program i krijuar në kuadër të festimeve të 375 vjetorit të qytetit dhe që ka synim të promovojë një përfaqësim më të mirë të gjinisë femërore në toponiminë e metropolit frankofon. Sipas një sondazhi të vitit 2016, emrat femërorë zënë vetëm 6% të toponimeve të Montréal-it.

Mary Griffin, emrin e të cilës do të mbajë parku më i ri i Jug-Perëndimit, njihet si bashkëshortja e Robert Griffin, fabrikant sapuni, pronar i shtëpisë së parë në “Griffintown” dhe kontribuesi i parë në krijimin më 1817 të Bankës së Montréal-it. Vëllai i këtij të fundit, Henry Griffin, njihet gjithashtu si noteri i parë i qytetit.

Në vitin 1803, ajo bleu një pjesë të madhe toke, e cila sot korrespondon me lagjen “Griffintown”, por që në fillimet e qytetit mbante emrin Nazaret. Një pjesë e këtyre terreneve ishin më vonë dhe objekt i një sage te gjatë gjyqësore që u mbyll më 1810. Pavarësisht kësaj, lagjja ruajti emrin “Griffintown” që ka ardhur deri në ditët e sotme. Parku që do të mbajë emrin “Mary Griffin” është një nga tre hapësirat e reja të gjelbra që do ti shtohen këtë vit Mini-Bashkisë Jug-Perëndimore të Montréal-it.

Burimi: Radio Canada

Përgatiti Blerina Ruka-Albanian Montréal Press