Kanada

Vancouver - Ndjesë zyrtare ndaj komunitetit kinez për diskriminimin në të kaluarën

  • Published in Kanada

Sipas Radio Canada, muajin e ardhshëm Kryebashkiaku i Vancouver Gregor Robertson do të kërkojë zyrtarisht ndjesë publike për diskriminimin që iu është bërë në të kaluaren banorëve me origjinë kineze. Kësisoj, pranohet publikisht që disa rregulla dhe politika të aplikuara nga legjislaturat e mëparshme kanë qenë të gabuara.

Në një komunikim me mediat të hënën e kësaj jave, numri një i qytetit Robertson, deklaroi që “veprimet e gabuara që janë bërë historikisht nga Këshilli Bashkiak i Vancouver, duhen identifikuar dhe pranuar, në mënyrë të veçantë tani që po punohet për ta bërë qytetin një shembull harmonie”. Sipas tij, me racizmin dhe diskriminimin në të kaluarën nuk janë përballur vetëm aborigjenët por edhe njerëz të origjinave dhe kulturave të tjera, ndaj dhe pranimi i këtij   shtrembërimi historik është një hap i rëndësishëm për të ecur përpara.

Ndjesa publike zyrtare do të paraqitet më 22 Prill dhe Kryetari Bashkisë do ta kumtojë atë gjatë pjesëmarrjes në evenimentin Ditët e kulturës kineze që organizohet në lagjen me të njëjtin emër. Dy ish-këshilltarë të qytetit, Bill Yee dhe Maggie Ip, do ta lexojnë gjithashtu ndjesën në gjuhen kineze.

Robertson tha se komunikimi i ndjesës përpara komunitetit kinez në një eveniment publik dhe jo brenda një ndertese qeveritare, e shpreh më mirë qëllimin dhe mesazhin që kërkon të përcjellë Bashkia, duke treguar se komuniteti kinez dhe kultura e tij mbështeten dhe respektohen totalisht.

Po çfarë ka ndodhur me komunitetin kinez në të kaluarën? Së pari, Qeveria Federale pat imponuar një taksë prej 50 dollarësh për person mbi emigrantët kinezë më 1885, në momentin kur krahu i tyre i punës nuk ishte më i nevojshëm në sektorin e Hekurudhës së Pacifikut. Kështu thuhet në raportin e hartuar në lidhje me këtë temë gjatë viteve 2016-2017, nga një grup këshillimor me ekspertë kinezë dhe nga kombësi të tjera, raport i cili u miratua nëntorin e shkuar nga Këshilli Bashkiak.

Më tej, raporti thekson se qysh nga viti 1886 kur u krijua qyteti i Vancouver e deri më 1948, banorët me origjinë kineze nuk gëzonin të drejtën e votës. Ishin veteranët e Luftës së parë dhe të Dytë Botërore ata që lobuan në favor të dhënies së kësaj të drejte ndaj tyre. Po kështu, Bashkia e Vancouver pat mbështetur edhe disa politika të tjera diskriminuese si taksa federale apo mbajtja larg administratës së shërbimit civil të kino-kanadezëve në periudhën 1890-1952.

Politikat dhe praktikat e qytetit, sipas raportit në fjalë, përfshinin gjithashtu edhe veçimin nëpër shkolla apo vende publike si pishinat, qendra banimi, spitale madje edhe varreza. Kësisoj, për shkak të kufizimeve në varrezat lokale, personat me origjinë kineze qe humbnin jetën, duhej të çoheshin në Kinë për t’u varrosur.

Ndjesa zyrtare të mëparshme

Në vitin 2010, qyteti New Westminister ishte i pari në British Columbia që kerkoi ndjesë zyrtare ndaj banorëve me origjinë kineze për diskriminimet që kishin pësuar në të kaluarën, ndërsa më 2015 të gjithë komunitetit kino-kanadez në rang province iu paraqit zyrtarisht ndjesë nga Kryeministrja Christy Clark për më shumë se 100 ligje, rregullore dhe politika raciste apo diskriminuese të aplikuara nga qeveritë e ndryshme të British Columbia-s. Në fjalën e saj, Clark pat venë në dukje në veçanti kontributin e emigrantëve kinezë për ndërtimin e rrjetit hekurudhor kanadez madje duke kujtuar që në çdo milje të hekurudhës që u shtrua mes Vancouver dhe Calgary, ka patur nga një punëtor kinez që ka humbur jetën.

Nga ana e saj, në vitin 2006 Qeveria Federale paraqiti gjithashtu një ndjesë publike për taksën e imponuar ndaj çdo emigranti kinez duke dëmshpërblyer familjet apo personat që kishin paguar këtë taksë dhe që jetonin ende.

Mijëra emigrantë kinezë patën hyrë në Kanada duke filluar që nga viti 1880 për të punuar në ndërtimin e rrjetit hekurudhor, por duke filluar nga viti 1885, Qeveria Federale vendosi një taksë prej 50 dollarësh për person, taksë e cila u rrit në 500 dollare në fillim të viteve 1900.

Burimi: Radio Canada

Përgatiti Ariola Mani