Kanada

Toronto: Warren Gerjon Kalaci, 13-vjeçari që krijoi mburoja fytyre për punonjësit e vijës së parë

  • Published in Kanada

Një lajm i bukur me autore Lindsay Morrison, i publikuar në CTV News Toronto, tërhoqi vëmendjen e FlasShqip sot. Bëhet fjalë për djaloshin Warren Richmond-Kalaci, i cili është biri 13-vjeçar i Gerjon Kalacit, avokatit dhe biznesmenit të njohur të komunitetit shqiptar në Kanada, pronar i kompanisë ALEXA Translations.

Warren është duke punuar në një projekt për të bërë mbrojtëse të fytyrës për punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë duke përdorur printerin e tij 3D.

Kur filloi pandemia COVID-19, Warren Kalaci kishte më shumë kohë në dispozicion, pas anulimit të sezonit të hokej. Gjatë këtyre javëve ai ka bërë qindra mburoja për fytyrën për spitalin SickKids.

"Mendoj se e kam përballuar mjaft mirë situatën. Jam tepër i zënë me këtë projekt dhe them se po bëj më të mirën. Kam bërë rreth 200 mburoja deri më tani”-ka pohuar Warren Richmond-Kalaci për CTV News Toronto.

Dave Kennedy, një nga trajnerët e tij, e mori vesh për projektin e Warren nga mediat sociale.

“Unë u lidha menjëherë me të dhe i thashë ‘Shoku, çfarë po ndodh këtu? Çfarë po bën? Kjo është e mahnitshme," tha Kennedy për CTV News Toronto. Kennedy, i cili është bashkëpronar i Armor Goaltending, një shkollë sportive në Toronto, e ndjeu se shkolla duhet të ishte pjesë e këtij projekti. Së bashku me Warren ai organizoi mbledhje fondesh në GoFundMe.

"Shkoi vërtet mirë," tha Warren. "Mblodhëm rreth 5000 dollarë më shumë se sa prisnim."

"1,500 dollarë nga këto shkuan për për produktin e Warren, dhe 5000 $ për SickKids" shpjegon Kennedy. “Ne e kuptuam se sa të fuqishëm jemi dhe çfarë jemi të aftë të bëjmë. Kështu që ishte vërtet e shkëlqyeshme”.

Kennedy shpreson që plot fëmijë të tjerë të frymëzohen prej Warren.

"Të gjithë fëmijët që janë në shtëpi dhe janë shumë të shqetësuar, duhet të dinë se së bashku mund të bëjmë diçka të veçantë, ne mund të bëjmë një ndryshim dhe Warren vërtet e vërtetoi atë," tha ai.

Burimi i informacionit dhe fotografitë: toronto.ctvnews.ca

12 Maj 2020