Kanada

Doug Ford refuzon debatin e organizuar nga komuniteti Black Canadians

  • Published in Kanada

Ontario - Sipas Radio Canada, mësohet se lideri i Partisë Progresiste Konservatore të Ontarios, Doug Ford, nuk do të marrë pjesë në debatin e shefave të partive politike provinciale që parashikohet të organizohet në datën 11 prill nga komuniteti Black Canadians.

Në një deklaratë të shkruar, dërguar CBC Toronto nga organizatorët e fushatës elektorale të Z. Ford, thuhet që ky i fundit sipas programit do të jetë në të njëjtën ditë në veri të Ontarios. 

“Doug Ford ka takuar qytetarë të Ontarios nga të gjitha horizontet dhe i ka dëgjuar shqetësimet e tyre. Ai do të jetë kryeministri i të gjithë ontarienëve dhe politikat e tij do përmirësojnë jetën e gjithë familjeve, përfshi dhe ato pjestare të komunitetit Black Canadians” – shkruhet në tekstin e deklaratës në fjalë.

Ndërkohë, organizatorët e debatit kanë marrë përgjigje nga shefat e tjerë të formacioneve politike të cilët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përfshi Kryeministren Kathleen Wynne, kryetaren e NDP Andrea Horwath dhe kryetarin e Partisë së Gjelbër Mike Schreiner.

Nga ana e saj, Velma Morgan, presidente e përkohshme e organizatës Black Vote Canada, që ka organizuar debatin bashkë me 9 grupe të tjerë të komunitetit Black Canadian, pohon se organizata e saj ka tentuar disa herë të kontaktojë me ekipin Ford.

Ftesa e parë është dërguar qysh më 11 mars, të nesërmen e zgjedhjes së Doug Ford në krye të Konservatorëve-Progresistë. Më pas, në vijim të një komunikimi me një nga përfaqësuesit e tij që mbulon marrëdhëniet me publikun, është dërguar më 18 mars edhe një mesazh i dytë elektronik. Sipas përgjigjes së marrë në datën 23 mars, Black Vote Canada i bëhej e ditur vetëm mospjesëmarrja e liderit Konservator. Ndërsa vetëm të shtunën e kaluar është përmendur fakti që ditën e debatit Doug Ford do jetë ne veri të Ontarios.

“I ftuam të gjithë liderët për të diskutuar mbi shqetësimet e komunitetit Black Canadians dhe ndihemi të zhgënjyer që njeri prej tyre nuk do jetë i pranishëm. Është zhgënjyese mbi të gjitha sepse Doug Ford mund të jetë ndofta Kryeministri i provincës së shpejti”- e ka mbyllur deklaratën e saj Velma Morgan e Black Vote Canada.

@FlasShqip.ca