Kanada

Kanada: Fundjavë tragjike në Saskatchewan

  • Published in Kanada

Një tragjedi e patreguar ka pllakosur këtë fundjavë Provincën e Saskatchewan-it dhe ka përhapur një valë të jazhtëzakonshme emocioni në mbarë vendin dhe jo vetëm. Veçanërisht është afektuar bota sportive dhe amatorët e Hockey-t, sportit kombëtar kanadez. Në autostradën 35, rreth 30 km larg Tinsdale, ka ndodhur një aksident rrugor i tmerrshëm pas përplasjes së një autobusi dhe një kamioni transporti.

Në autobusin e përfshirë në aksidentin tragjik, udhëtontë ekipi i Hockey Junior Bronco i qytetit Humboldt, që do të ndeshej në Nipawin me ekipin Hawks. Ishin pikërisht lojtarët e Hawks, të cilët pak pas orës 18:00 të së premtes do të njoftonin në rrjetin social Facebook anulimin e takimit për shkak të aksidentit.

Sipas Xhandarmërisë Mbretërore të Kanadasë (GRC/RCMP), bilanci ka qenë 15 të vdekur dhe 14 të plagosur, nga të cilet dy ndodhen në gjendje kritike. Mësohet se drejtuesi i kamionit të përfshirë në aksident nuk është plagosur dhe vetëm është marrë në pyetje duke u lënë më pas i lirë pa u vënë nën akuzë.

Për përfaqësuesin e autoritetit me të larte policor kanadez, Zv-Komisarin Curtis Zablocki të dalë në konferencë shtypi në Humboldt, ka qenë ende herët të jepen komente mbi shkaqet e verteta të përplasjes mes dy mjeteve që shkaktoi tragjedinë.    

Humboldt është një qytet me rreth 6 000 banorë, që gjendet 113 km në Lindje të Saskatoon (kryeqyteti i provincës) ku bashkohen rrugët provinciale 5 dhe 20. Aty dje mbretëronte zia dhe disa grupe mbështetjeje psikologjike u vendosën në arenën ku luan ekipi, brenda të cilës u mblodhën qindra vetë.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Rob Muench, është shprehur thellësisht i prekur nga mijëra mesazhe simpatie që qyteti ka marrë gjatë gjithë kohës, jo vetëm nga anë e mbanë provincës dhe Kanadasë, por edhe nga jashtë vendit.

“Nuk ka manual instruktimi për rrethana të tilla. Qyteti im i vogël do këtë nevojë për ndihmë në javët dhe muajt që do vijnë për ta kapërcyer dhimbjen”, - ka thënë ai.

Në listën e viktimave që humbën jetën figuron edhe trajneri 42 vjeçar i ekipit Darcy Haugan, sëbashku me kapitenin 20 vjeçar Logan Schatz. Ky i fundit, kapiten prej më shumë se dy vitesh, mbante uniformën e Bronco për të katërtin sezon radhazi.

Ekipi Bronco Junior i Humboldt numëronte në radhët e tij 24 lojtarë me origjinë nga pjesa perëndimore e Kanadasë të moshës 16 deri 21 vjeç.

Presidenti i klubit, Kevin Garinger, i cili ne momentin e ngjarjes ndodhej në Edmonton, është ndjerë krejt i shokuar siç raporton Radio Canada, përmes të cilës ai ka transmetuar ngushëllimet më të thella ndaj atyre që u prekën nga aksidenti duke falenderuar edhe ekipin mjekësor që ndërhyri në vendodhjen e tragjedisë.

Ekipi Bronco i Humboldt bën pjësë në Ligën Junior të Saskatchewan (SJHL) qysh prej vitit 1970 dhe ka fituar gjithsej 9 herë titullin kampion më 1972, 1973, 1986, 1987, 1989, 2003, 2007, 2008 dhe 2012. Nga viti 2015, ekipi stërvitej nga Darcy Haugan, me origjinë nga Alberta, i cili më parë pat drejtuar dhe Navigateurs të North Peace duke u shpallur dhe trajneri i vitit për periudhën 2011-2013.

Nga ana e tij, Kryeministri i vendit Justin Trudeau, përmes një deklarate në Twitter ka shprehur ngushëllimet e tij në adresë të familjarëve të viktimave. “E kemi të gjithë zemrën e thyer nga fakti që humbëm djem kaq të rinj, të cilët e kishin gjithë jetën përpara”, - kanë qenë fjalët e tij.

Përmes një bisede në telefon me Justin Trudeau, ka shprehur ngushëllimet e veta për të prekurit nga fatkeqësia edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump.

Ndërkohë, sot në mbremje, në Qendrën e kongreseve të Humboldt, do të zhvillohet një ceremoni homazhi në kujtim të viktimave që humbën jetën tragjikisht në aksident rrugor të premten.

Burimi: Radio Canada