Kanada: viktimat nga mbidozat sa dyfishi i atyre të aksidenteve rrugore
- Published in Kanada
Toronto - Bashkitë kërkojnë strategji kombëtare për shëndetin mendor
Radio Canada raporton se është zhvilluar dje në Toronto Samiti i bashkive për shëndetin mendor në zonat urbane.
Në përfundim të tij, në një komunikim me mediat, kryebashkiakët e Toronto-s, Vancouver-it, Mississauga-s, Regina-s dhe Saint John (Newfoundland), kanë adresuar kërkesën e tyre ndaj qeverisë federale në lidhje me një strategji kombëtare për shëndetin mendor në zonat urbane.
Kjo strategji sipas tyre, duhet të ketë prioritet në radhë të parë problemin e endacakëve të pastrehë dhe të ashtuquajturën krizë të opioïdeve (substancave narkotike).

Gjatë konferencës për shtyp, kryetari i Bashkisë së Torontos, John Tory, është shprehur që për fat të keq nuk ekzistojnë “as objektiva kombëtare dhe as praktika të institucionalizuara si duhet për t’u përballur me këto dy kriza”.
Edhe pse Liberalët kanë shpallur në nëntor një strategji kombëtare për strehimin, sipas tij iniciativa të tilla kanë nevojë për një koordinim më të mirë mes autoriteteve të tre niveleve të qeverisjes.
Tory e ka konsideruar iniciativën e qeverisë Trudeau si një mishmash jofunksional dhe konfuz. Për kreun e metropolit kanadez në këtë fushë nevojitet një përqasje e re dhe objektiva që përcaktojnë qartë kush merret me çfarë.
Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë Mississauga (për nga popullsia renditet e gjashta në rang vendi), Bonnie Crombie, ka theksuar faktin që presioni buxhetor i shkaktuar nga këto kriza është shpesh i ngjashëm në të gjitha qytetet, duke sjellë si shembull kërkesën për më shumë resurse policore.
Ndërsa kryebashkiaku i Vancouver, Gregor Robertson, ka sjellë në kujtesë iniciativën e pranverës së vitit të kaluar për analizën dhe vlerësimin e të dhënave në lidhje me numrin e vdekjeve të shkaktuara nga drogat në rang vendi.
“Në 2017, në Kanada kanë humbur jetën nga mbidozat mbi 4000 vetë, që është dyfishi i viktimave të aksidenteve rrugore” – ka pohuar Robertson, sipas të cilit qeveria federale duhet ta marre me shumë serozitet këtë dosje.
Ndërkohë, një eksperiencë e re e implementuar në provincën e British Columbia-s duket se ka krijuar një impakt pozitiv të ndjeshëm në këtë drejtim. Bëhet fjalë për krijimin e një ministrie të posaçme për problemet e shëndetit mendor dhe varësisë nga narkotikët.
Gjatë samitit të djeshëm, pjesëmarrësit kanë këmbyer informacion rreth iniciativave të ndryshme dhe eksperiencave jo vetëm në rang vendi, por edhe nga vende të tjera që përballen me të njejtën problematikë.
Kryetari i Torontos, John Tory, ka thënë se nën shembullin e Bashkisë së New York-ut, edhe në Toronto do të emërohet një komisar i ngarkuar të ndjekë problemet e shëndetit mendor.

Evenimenti është moderuar nga militantja e njohur në fushën e shëndetit mendor, Anne Thériault, e cila e ka vlerësuar si shumë të frytshëm këmbimin e eksperiencave mes qyteteve kryesore më të populluara por sipas saj, duhen dëgjuar gjithashtu edhe mendimet e personave që vuajnë nga këto probleme, sepse ndodh që në më të shumtën e rasteve, janë këta të fundit që sugjerojnë edhe zgjidhjet me efikase.
Burimi: Radio Canada












