Kanada

Alberta: Ndryshime legjislacioni - Cannabis sativa larg fëmijëve!

  • Published in Kanada

Në prag të legalizimit së afërmi të marihuanës në verën e ardhshme, qeveria e Provincës Alberta, për të qenë e përgatitur parashikon të modifikojë Ligjin për lojrat e fatit dhe alkoolin.

Siç raporton Radio Canada, Projektligji me numër 6, do të vendosë disa kushte për njësite tregëtare që do shesin cannabis.

Ministrja provinciale e Drejtësisë, Kathleen Ganley, ka dhënë dhe shpjegimet përkatëse. Kështu, shitësit e cannabis nuk do kenë të drejtë të përdorin në logot e dyqaneve të tyre fjalë të tilla si “farmaci” apo “medicinal”, terma që nënkuptojnë efekte pozitive për shëndetin apo simbole të tjera me domethënie mjekësore.

“Duam të evitojmë çdo gjë që krijon përshtypjen se ekziston një lidhje ndërmjet tregut të cannabis për përdorim rekreativ dhe efekteve potenciale terapike të cannabis” – ka thënë Ministrja.

Gjithashtu, Komisioni provincial i alkoolit dhe lojërave do të ndryshojë emërtimin për t'u quajtur këtej e tutje Komisioni provincial i lojërave të fatit, alkoolit dhe cannabis-it, duke ruajtur gjithsesi të njejtën sigël, AGCL (Alberta Gaming and Liquor Commission).

Sipas ligjit të ri që pritet të miratohet, policët, gjatë kontrolleve do kenë të drejtën të përcaktojnë që një produkt është cannabis në funksion të pamjes apo aromës, ashtu si veprohet dhe tani për alkoolin dhe duhanin.

Ndërkohë, gjoba maksimale ekzistuese për çdo shkelje të dispozitave të Ligjit për lojërat e fatit dhe alkoolin, nga 200 000 dollarë do të bëhet 1 milion dollarë. Gjoba më e ulët do të mbetet si ishte, pra do ketë vetëm vlerën e një paralajmërimi.

Ministrja e Drejtësisë Ganley, ka pohuar se miratimi i këtyre ndryshimeve do të jetë një garanci më tepër në arsenalin e mjeteve ligjore të Qeverisë, arsenal që synon t’a mbajë cannabis “larg fëmijëve, të mbrojë shëndetin publik, të forcojë sigurinë në rrugë, në vendet e punës dhe hapësirat publike si dhe të eliminojë tregun e paligjshëm”.

Burimi: Radio Canada