Kanada

Justin Trudeau: Jo ndërhyrje ushtarake kanadeze në Siri!

  • Published in Kanada

Gjatë një interviste të martën në mëngjes në emisionit e Radio Canada “Kulisat e pushtetit”, Kryeministri i vendit Justin Trudeau ka afirmuar që Kanadaja nuk do të marrë pjesë në një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare të mundshme kundër regjimit të Bachar Al-Assad-it në Siri.

Sipas kreut të Qeverisë, po vazhdohet me ndihmën humanitare si dhe po punohet në rrafshin diplomatik dhe politik, me synimin për të gjetur një zgjidhje.

Ndërkohë, Kanadaja është prezente në Irak në operacionin kundër Shtetit Islamik, në Letoni në kuadër të NATO-s përballë Rusise si dhe është njoftuar një prezencë ushtarake e saj së afërmi në Mali.

Gjithsesi, Kryeministri ka shprehur shqetësimin e tij për situatën aktuale në Siri dhe ka siguruar se Qeveria e tij do vazhdojë të jetë në unison me aleatët për të penguar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që nuk kanë rreshtur që prej fillimit të konfliktit të armatosur në Siri.

Intervista u zhvillua pas njoftimit nga ana e Presidentit Trump në lidhje me një vendim të mundshëm për goditje në Siri, por gjithsesi më përpara se Trump të konfirmonte që synimi i tij ishte hedhja e raketave balistike si përgjigje ndaj sulmeve me armë kimikë për të cilat akuzohet regjimi i Assad-it.

Kujtojmë që gjatë qeverisjes së Konservatorëve me në krye Stephen Harper, disa avionë luftarakë kanadezë CF-18, patën marrë pjesë në operacione bombardimi në kuadrin e Koalicionit ushtarak ndërkombëtar kundër grupit të armatosur Shteti Islamin në Irak dhe Siri.

Por vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet, pikërisht më 15 shkurt 2016, Qeveria Liberale vendosi tërheqjen nga bombardimet duke vazhduar gjithsesi pjesëmarrjen në operacione furnizimi, rikonjicioni apo kontrolli në kuadër te koalicionit të drejtuar nga SHBA.

Nga ajo kohë, misioni i Forcave të Armatosura Kanadeze u ripërqendrua në Irak ku vazhdojnë të përdoren disa mjete transporti ajror si avioni tip CC-150T Polaris (furnizues në ajër), dy avionë transporti tip CC-130J Hercules si dhe disa helikopterë të tipit CH-146 Griffon.

Kontigjenti kanadez me një personel prej rreth 850 vetësh, trajnon gjithashtu forcat e sigurisë irakiane dhe ofron shërbime dhe asistencë mjeksore.

Vitin që shkoi, Qeveria e Justin Trudeau vendosi shtyrjen e afatit të qëndrimit në Irak të Forcës Operacionale Ajrore Kanadeze (operacioni IMPACT) deri më 31 mars 2019. Kostoja e shtyrjes së misionit u vlerësua 371,4 milionë dollarë.

Burimi: Radio Canada