Kanada

Sot në London është ditë e mrekullueshme - Nga Fazli Mazreku

  • Published in Kanada

Fazli Mazreku - London, Ontario

Londoni i Ontarios është mbuluar me petkun e borës, meqënëse, që njëzetekatër orë nuk kanë të ndalur reshjet.  Kjo bore kaq e madhe eshte e mirepritur nga londonianët, sepse sot është ditë e veçantë, Dita e Krishtelindjes, ditë e cila, sipas gojëdhënave, po qe se mbulohet me borë, viti tjetër do të jetë vit i begatisë dhe mirëqenies njerëzore.

Përkunder që kishin rënë mbi 30 centimetra borë dhe trashësia rritej çdo orë, unë nuk u hamendësova fare të vazhdoj rutinën time të vrapimit, që rëndom e bëj çdo ditë.  Duke ecur shtegut të mbuluar me bore, diku në kilometrin e gjashtë, hasa në disa tenda të vendosura dikur mbrëmë. Edhe pse bënte ftohtë, banorët e tendave kishin dalë jashtë. Ishin pesë persona, të cilët bisedonin; disa thithnin marihuanë (marihuana është e legalizuar në Kanada) dhe të tjerët i bënin gati cigare et tjera per t’iu bashkuar shoqërisë.

Duke iu afruar tendave, vendosa papritmas të ndalem dhe të bisedoj me ata njerëz, sepse gjithmonë, saherë që kam biseduar me komunitete të tilla, kam hasur në njerëz shumë inteligjentë dhe të vëmendshëm ndaj atij me të cilin flasin. U ndala dhe pa humbur shume kohe, iu drejtova me: “Gezuar Krishtlindjen”! Ata u përgjigjën si në kor: “Gëzuar Krishtlindjen”!

Për të përfituar aprovimin e tyre për vazhdimin e bisedës, tentova të jem i vëmendshëm duke iu thene se është ditë e vërtetë Dimri dhe pritet të kemi një Dimër të gjatë. Ata, pa një, pa dy, gati si të revoltuar, u pergjigjën: “Jo, përkundrazi, sot është ditë e mrekullueshme”!

Njeri prej tyre, që rrinte më larg, që dukej më i mirë i veshur dhe pështillte një cigare me marihuanës, mu drejtua duke më thëne: “Me sa duket ju nuk e doni Dimrin shumë”?

Une, i zënë pisk në atë moment, duke përdorur krenarinë ballkanike, pak i daravitur ia ktheva: “Nuk e dua dimrin, por nuk kam tjetër alternativë, derisa jetoj në një vend ku Dimri është i gjatë dhe Vera e shkurtër”.

- “Pse, nga cili vend vjen ti”?

- “Unë jam nga Kosova”.

Zonja që ishte me ata më pyeti: “Ku gjendet Kosova”?

- “Kosova gjendet në Evropë”, - u përgjigja me vetëbesim!

- “Evropa eshte e madhe zoteri”, - insistoi ajo. “Në cilën pjesë të Evropës gjendet ky vend misterioz që ne nuk kemi dëgjuar asnjëherë”?

- “Në Ballkan”, - u përgjigja, pak i tendosur.

Ajo ngulmoi se nuk ka degjuar për këte vend, megjithatë kërkoi t’i jap pak kohë që ajo të kërkojë në Google dhe kur të takohemi herën tjetër, të bisedojme për Kosovën.

Eshte fakt i shestuar për shumë vite, njerëzit që jetojnë në tenda janë komunitet i veçantë dhe këtë nuk e bëjnë sepse nuk kanë mundësi të jetojnë në shtëpi apo banesa, siç jeton pjesa dërmuese e kanadezëve. Fjala është për një grup shoqëror, të përbërë nga profile të ndryshme të personave, të cilët mund të kenë edhe përgatitje të lartë shkollore, por nuk e duan jetën urbane dhe nuk parapëlqejnë të sillen dhe jetojnë brenda rregullave shoqërore.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre hapin faqet e tyre Ëeb dhe publikojnë ide brilante se si duhet të ndërtohet rendi i ri botëror. Unë e takoj shpesh një anëtar të ketij komuniteti, i cili ka arritur të flasë në parlamentin federal të Kanadasë për politikat zhvillimore të vendit.  Këta njerëz, thjesht nuk e duan jetën në “kafaz”!

Ky komunitet nuk vuan për ushqim fare, sepse në orët e vona të mbrëmjes ata shkojnë në restorante dhe marrin ushqim të freskët të ditës, falas. Ndërsa pastrimin, mbajtjen e higjienës dhe ndërrimin e rrobave e bëjne në strehimore (shelters) sa herë që dëshirojne. Sistemi i ndihmave humanitare për njerëz të pastrehë është shumë i zhvilluar në Kanada dhe funksionon 24/7.

©Fazli Mazreku