Kanada

Zgjedhjet Ontario: 27 maj, përballja e liderëve në debat televiziv

  • Published in Kanada

Është bërë e ditur më në fund data kur shefat e tre partive politike kryesore të Ontarios do të “kryqëzojnë armët” në debatin e parë televiziv në gjuhën angleze, në prag të zgjedhjeve provinciale të 7 qershorit.

Kathleen Wynne, Kryeministre dhe Kryetare e Partisë Liberale, Andrea Horwath, Kryetare e Partisë së re Demokratike dhe Kryetari i Partisë Progresiste Konservatore, Doug Ford, do të jenë të ftuar më 27 maj, ora 18:30, në studion e CBC/Radio Canada në qendër të Torontos

Debati do të zgjasë gjithsej 90 minuta dhe aty janë ftuar vetëm shefat e partive parlamentare duke shmangur kësisoj liderin e Partisë së Gjelbër, Mike Schreiner.

Ky i fundit ishte prezent në debatin e organizuar nga komuniteti Black Canadians të mërkurën e kaluar, me Kathleen Wynne dhe Andrea Horwath, debat ku ra në sy mungesa e Doug Ford.

Ford e pat justifikuar mungesën e tij me turneun e parashikuar në Veri të Ontarios, datat e të cilit ishin programuar sipas tij, përpara marrjes së ftesës nga komuniteti Black Canadians.

Pas mungesës së Ford, erdhi sfida nga Kathleen Wynne, e cila i kërkoi Ford të pranonte tre debate të drejpërdrejta televizive.

Përmes Twitter, lideri i ri Konservator u përgjigj menjëherë që e pranonte sfidën.

Burimi: Radio Canada