Kanada

Mark Pathy, një filantrop nga Montréal në udhëtim drejt kozmosit

  • Published in Kanada

Vitin e ardhshëm, në Janar 2022, në një mision krejtësisht privat, kompania amerikane Axiom Space në bashkëpunim me SpaceX do të dërgojë turistët e saj të parë drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Pjesë e kësaj aventure unikale do jetë edhe investitori dhe filantropi nga Montréal Mark Pathy, drejtues i kompanive MAVRIK dhe STINGRAY.

Lajmi është publikuar sot nga Axiom dhe mësohet se bashkë me Mark Pathy do të udhëtojnë drejt hapësirës edhe sipërmarrësi amerikan Larry Connor si dhe investitori izraelit Eytan Stibbe. Tre turistët privatë të kozmosit, që kanë paguar nga 55 milion dollarë secili, do të shoqërohen nga astronauti në pension Michael Lopez-Alegria, njëherazi zëvendëspresident i Axiom Space.

Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar

"Unë gjithmonë jam magjepsur prej udhëtimeve në hapësirë, por gjithmonë më dukej diçka e parealizueshme" - i ka deklaruar gazetës se Montréal La Presse, Mark Pathy duke kujtuar që kur ishte i vogël ndiqte filmin Star Trek.

50 vjeçari Mark Pathy, do të jetë kanadezi i 11-të që do të udhëtojë në hapësire, por i dyti në një udhëtim privat pas Guy Laliberté, bashkëthemeluesit të “Cirque du Soleil”. Ka qënë pikërisht udhëtimi i këtij të fundit në bordin e anijes “Soyz” në vitin 2009 që i ka ngjallur shpresën Mark Pathy se ëndrra e tij mund të bëhej një ditë realitet. Pas nisjes së bisedimeve Majin e kaluar, ai ka arritur të nënshkruajë kontratën me Axiom në Tetor, duke patur në të njejtën kohë dhe mbështetjen e familjes dhe miqve për marrjen e një vendimi të tillë.

Me mbështetje nga NASA, misioni i Janarit 2022 do të përfshijë dy ditë fluturimi brenda anijes SpaceX Crew Dragon dhe një qëndrim 8 ditor në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar.  Në vitin 2001, biznesmeni amerikan Dennis Tito, turisti i parë hapësinor, shpenzoi 20 milion dollarë për të hipur në Soyuz. Tetë vjet më vonë, fatura shkoi në 35 milion për Guy Laliberté, ndërsa aktualisht shuma e kontratës deklarohet të jetë 55 milionë.

Guy Laliberté brenda Modulit Zvezda (2009)

Duke filluar nga Prilli 2021, pronari i MAVRIK Mark Pathy do t'i nënshtrohet trajnimit 15 javor, kryesisht në Qendrën Hapësinore në Hjuston dhe objektet e SpaceX në Los Anxhelos, por edhe në Moskë dhe në Gjermani, sepse Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar përfshin module nga Rusia, Bashkimi Evropian, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, njohja me të cilat është kusht për pjesëmarrjen në mision. Pathy gjithashtu do duhet të bëjë edhe një karantinë 14 ditore para nisjes së anijes nga Kepi Canaveral. Ai ka kryer dhe një seri ekzaminimesh mjekësore që kanë konfirmuar së gëzon shëndet të plotë për kryerjen e udhëtimit drejt kozmosit.

(Sipas La Presse Montréal)

 

Tagged under Flasship.ca