Kanada

Takimi mes Trudeau dhe Legault si "armëpushim" i detyruar - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada

Taulant Dedja - Québec

Më në fund kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe kryeministri i Québec François Legault, janë takuar pardje drejtpërdrejt pas më shumë se një viti komunikimi në distancë. Kjo ndodhi gjatë ceremonisë së fillimit të një projekti ku do të investohen nga Ottawa dhe Québec gati 100 milionë dollarë në një fabrikë prodhimi baterish elektrike për automjete tonazhi të lartë në Saint-Jerôme.

Për të dy politikanët, viti pandemik pa u takuar nga afër (flitet që bisedat e përjavshme në telefon kanë qenë të gjitha të tensionuara), ishte një periudhë ku mbizotëruan sulmet e dyanshme në publik, veçanërisht nga Legault, sulme të kalkuluara sigurisht nga interesa politike personale.

Aparenca e pardjeshme ka dhënë përshtypjen që të dy e vlerësojnë shumë njeri-tjetrin. Por vetëm aparenca ama, se përtej saj, perceptohen llogaritë në raport më zgjedhjet e mundshme federale këtë pranverë, në të cilat synimi i Trudeau është të marrë disa deputetë më shumë në Québec. Madje vizita e tij e shpejtë në qendren e vaksinimit në Pallatin e Kongreseve të Montréal dhe shfaqja para kamerave, të linte shijen gati-gati të një preludi fushate zgjedhore.

Në fakt ai që ka më shumë nevojë për tjetrin duket se është Trudeau, po të merret parasysh që Legault është dukshëm lart në sondazhe, për sa i takon mënyrës se si e ka administruar situatën e pandemisë por edhe procesin e vaksinimit. Megjithatë edhe Legault e di shumë mirë që gati 32% e elektoratit të CAQ (Koalicioni për Ardhmërinë e Quebéc) voton në nivel federal për Liberalët e Trudeau…

Legault është shprehur se kur takohesh drejtpëdrejt, diskutimi është gjithmonë më i frytshëm, ndërsa Trudeau në dukje entuziast, e ka vlerësuar bisedën si shumë konstruktive (i buzëqeshur vesh më vesh për aq sa e lejonte të dallohej maska) dhe ka pohuar se është i gatshëm të thellojë partneritetin me “La Belle Province” edhe për projekte të tjera ambicioze.

Nisur me sa duket nga fakti që hipokrizia në publik është pjesë e pandarë e politikës, komentatorë të ndryshëm e kanë konsideruar takimin si një lloj armëpushimi ose një lloj “martese” arsyeje ku gjithsesi mungon dashuria. Ndërkohë, këshilltarë pranë kryeministrit Legault nuk kanë munguar të pohojnë se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm dhe me interes për të dy palët dhe që mundësitë për thellimin e bashkëpunimit me qeverinë Trudeau janë të shumta, veçanërisht në fushën e mjedisit dhe ekonomisë, por edhe të infrastukturës, transportit publik dhe bujqësisë.

Pra në takim ka mbizotëruar sjellja pragmatiste, po të kemi parasysh që me shpresën se fundi i periudhës së pandemisë po afrohet, në ligjërimin politik të ditës, debatit mbi gjendjen e Qendrave për Kujdesin ndaj të Moshuarve dhe vaksinimin, do t’ia zerë vendin tema e rimëkëmbjes ekonomike, temë kjo e lidhur drejtpërdrejt me të gjithë sektorët e jetës dhe të gjitha shtresat e shoqërisë kanadeze.

Gjithnjë sipas komentatorëve politikë, të cilët i janë referuar qëndrimeve kritike të Legault në vitin 2019 ndaj Liberalëve, Justin Trudeau nuk pret të marrë përkrahjen e tij, por të paktën shpreson të “blejë” heshtjen e tij. Dhe ndoshta Legault, duke bërë llogaritë e veta për zgjedhjet provinciale, në këmbim të heshtjes mund të synojë të realizojë objektivat e tij politike, veçanërisht duke marrë më shumë transferta federale në shëndetësi dhe infrastrukturë.

©Flasshqip.ca