Québec - Rekord frekuentimi në Panairin ndërkombëtar të librit
- Published in Kanada
Ka arritur një shifër rekord pjesmarrja e sivjetshme në Panairin ndërkombetar të librit 2018 që u mbyll të dielën e kaluar në qytetin e Québec-ut.
Plot 70 000 ka qënë numri i vizitorëve sipas njoftimit të organizatorëve, rreth 2 000 më shumë se një vit më parë.
“Suksesi e ka tejkaluar pritshmërinë dhe atmosfera ishte shumë e këndshme” - ka deklaruar Drejtoresha e komunikimit të aktivitetit, Johanne Mongeau. Një nga arsyet e këtij suksesi, sipas saj, buron nga fakti që këtë vit President nderi i evenimentit ishte Éric-Emmanuel Schmitt, dramaturg, novelist dhe romancier franko-belg, i përkthyer në 45 gjuhë, veprat e të cilit janë interpretuar në më shumë se 50 vende.

Organizatorët e panairit janë shprehur veçanërisht të kënaqur nga fakti që 28 000 vizitorë ishin nga moshat e reja, 16 000 prej të cilëve nxënës shkollash.
Në aktivitetin që ka zgjatur 5 ditë janë ekspozuar veprat e më shumë se 1200 autorëve dhe janë zhvilluar më shumë se 230 prezantime e tryeza të rrumbullakta diskutimi.
Sipas Johanne Mongeau, “nga momenti që flasim për procesin e të shkruarit si krijim, apo kur vetë autorët tregojnë se si ndihen dhe ku e gjejnë frymezimin, kjo gjë me sa duket i tërheq shumë njerëzit”.
Ja një lajm i mirë që konfirmon se interesi për librin e shkruar vazhdon të mbetet i lartë jo vetëm për të rriturit, por edhe për të rinjtë.
Burimi: Radio Canada












