Kanada

Montréal - Humb jetën në një aksident automobilistik vajza 16 vjeçare e familjes Gashi

  • Published in Kanada

Të shtunën 20 Mars, një adoleshente humbi jetën dhe tre persona të tjerë janë plagosur rëndë pas një aksidenti automobilistik në autostradën 40, në zonën e Bulevardit Saint-Charles në perëndim të ishullit të Montréal-it.

Ky është informacioni që Policia i ka dhënë Radio-Canada dhe sipas zëdhënësit Stéphane Tremblay, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:00 të mbrëmjes. Në aksident janë përfshirë të paktën katër automjete, dy prej të cilëve morën flakë. Katër personat të plagosur u dërguan në spital ku një prej viktimave ndërroi jetë atje.  

Policia nuk e ka deklaruar fillimisht identitetin e të plagosurve dhe të viktimës së këtij aksidenti tragjik por ka theksuar që njëri nga dy drejtuesit e automjeteve që morën flakë dyshohet si përgjegjës për aksidentin, ku shkak ka qenë shpejtësia e madhe tej normave të lejuara. Automjeti në të cilin ndodhej viktima raportohet nga TVA se kishte ndaluar në korsinë e emergjencës dhe u godit nga pas.

Flasshqip.ca e ka marrë informacionin edhe nga burime të tjera lidhur me identitetin dhe familjen e viktimës që humbi jetën në menyrë të papritur dhe tragjike. Fatkeqja që humbi jetën ishte 16 vjeçarja me origjinë nga Kosova, Veronica Gashi e datëlindjes 19 Prill 2005.

Veronica, kish lindur në Kanada, ku prindërit e saj Dashurie dhe Agron Gashi ishin vendosur prej vitesh. Aktualisht familja Gashi jeton në Candiac, Bregu Jugor i Montréal. Pjesëtarë të shumtë nga komuniteti shqiptar në Kanada kanë shprehur sot në rrjetet sociale ngushëllimet më të ndjera në adresë të saj.

©Flasshqip.ca

Foto Journal de Montréal