Zgjedhjet Ontario – Liberalët pas Konservatorëve në sondazhe. Diferenca 11 përqind
- Published in Kanada
Në se Liberalët e Kathleen Wynne duan t’i fitojnë zgjedhjet, duhet të luftojnë dhëmb për dhëmb. Kështu raportoi dje Radio Canada që i referohej një sondazhi të kryer ditët e fundit nga Grupi Innovative Research. Për momentin, duket se tendencat vazhdojnë të favorizojnë Konservatorët Progresistë të Doug Ford.
Edhe pse buxheti i liberalëve përmban premtime që u përgjigjen shumë kërkesavë të qytetarëve, ende ata nuk kanë mundur të rifitojnë terrenin e humbur. Sipas sondazhit në fjalë, 37% e preferencave shkojnë për Konservatorët, 26 % për Liberalët dhe 18% për Neo-Demokratët e Andrea Horwath.
Po kështu, 65% e të pyeturve e perceptojnë buxhetin e paraqitur nga Qeveria në Parlament më 28 mars si një tentativë të pashpresë për të fituar zgjedhjet dhe vetëm 29% e tyre e konsiderojnë si një propozim realist që mund të zgjidhë problemet me të cilat përballet provinca.
Sipas presidentit të Innovative Research Group, Greg Lyle, duket se imazhi i Qeverisë Liberale eshtë konsumuar në sytë e shumicës së zgjedhësve.
Një rreze shprese për ata, rezulton fakti që pas propozimit të buxhetit, është stopuar hemorragjia e rrjedhjes së votave liberale drejt neo-demokratëve. Por kjo nuk ka patur efekt tek pjesa tjetër e zgjedhësvë që preferon të votojë Konservatorët.
Sipas Greg Lyle, e vetmja shpresë për Kathleen Wynne është të synojë tërheqjen e votave të neo-demokratëve në favor të saj, duke u bërë të qartë qytetarëve që kjo është e vetmja rrugë për të penguar fitoren e Doug Ford.
Ndërkohë, kampi Konservator vazhdon t’a ketë tendencën në favor, madje duke ngjallur edhe interesimin e indiferentëve ndaj politikës apo të paangazhuarve asnjëherë në politikë.
Ky fakt konsiderohet si një nga risitë e fushatës, madje sipas realizuesve të sondazhit, Ford ja ka arritur të tërheqë vëmendjen e atyre që ndihen të frustruar nga situata ekonomike në Ontario.
Burimi: Radio Canada












