Kanada

Trudeau në Élysée tek Emmanuel Macron. Fjalim edhe në Parlamentin Francez

  • Published in Kanada

 Kryeministri Trudeau ka takuar dje në Paris Presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe tema kryesore e bisedimeve ka qenë Marrëveshja e tregëtisë së lirë mes Kanadasë dhe BE.

Kreu i Qeverisë ka theksuar që Marrëveshja ekonomike dhe tregëtare globale, e cila hyri provizorisht në fuqi shtatorin e kaluar, e ka forcuar partneritetin ekonomik me Francën dhe sjell përfitime në të dy anët e Atlantikut.

Sipas Trudeau, gjatë vitit 2017, importet franceze drejt Kanadasë janë rritur 4% ndërsa investimet kanadeze në Francë 23%. Marrëveshja ka theksuar ai, “është progresiste sepse parashikon klauzola në raport me të drejtat e punëtorëve, mbrojtjen e ambientit, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, investimet e përgjegjshme dhe administrimin e burimeve natyrore”.

Nga ana e tij, Presidenti i Francës ka nënvizuar faktin që këmbimet tregëtare mes dy vendeve janë rritur në masën 6% nga shtatori 2017, përndryshe një total prej 10 miliardë euro në vit. Ndërkohë që të gjitha kompanitë e mëdha franceze kanë filialet e tyre në Kanada, 250 të tilla kanadeze operojnë në Francë dhe kanë punësuar 28 000 vetë.

Marrëveshja mbetet gjithsesi provizore deri në momentin e aprovimit nga parlamentet e vendeve anëtare të BE.

Emmanuel Macron nuk ka harruar gjithashtu të falenderojë Kryeministrin Trudeau për prezencën ushtarake në Mali si dhe për mbështetjen e goditjes në Siri të realizuar fundjavën e kaluar nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe.

Trudeau dhe Macron do takohen përsëri në qershor, kësaj radhe në Charlevoix (Québec) ku do të zhvillohet Samiti i G7, kryesimin e të cilit nga 1 janari 2018 e ka marrë Kanadaja.

Përpara takimit me Macron, Justin Trudeau ka zhvilluar edhe një bisedë me Sekretaren e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombetare të Frankofonisë, Michaëlle Jean, ish-Guvernatore e Përgjithshme e Kanadasë. Pas takimit, komunikata e publikuar nga organizata në fjalë, ka bërë të ditur që Kryeministri Kanadez ka kërkuar rinovimin e mandatit të saj. Gjithsesi kjo do të vendoset në tetor të këtij viti, në Samitin e radhës të Frankofonisë që do të mbahet në Erevan të Armenisë.

Trudeau ka zhvilluar gjithashtu një takim me shefen e UNESCO-s Audrey Azoulay si dhe me drejtues të OCDE.

Po dje, Justin Trudeau ka mbajtur një fjalim përpara studentëvë të shkollës prestigjioze të Shkencave Politike të Parisit, ndërsa sot do diskutojë me radhe me Kryeministrin Édouard Philippe, Kryetarin e Senatit Gérard Larcher dhe Kryetarin e Parlamentit François de Rugy.

Në mbyllje të vizitës ai do t’i drejtohet me një fjalim edhe Parlamentit Francez. Është hera e parë për një kryeministër Kanadez një ngjarje e tillë. Sipas deklarimeve të Kabinetit të Trudeau, fjalimi do përqëndrohet te angazhimi i Kanadasë në favor të tregtëtisë progresiste dhe sigurisë ndërkombëtare si dhe të vlerat e përbashkëta që vendi ynë ndan me Francën dhe Europën.

Më pas Trudeau do fluturojë drejt Londrës, ku do të qëndrojë deri më 20 prill. Agjenda parashikon takim me Kryeministren Theresa May, Mbretëreshën Elisabeth II si dhe pjesmarrjen e tij në takimin e shefave të qeverive të Commonwealth-it.

Burimi: Radio Canada