Kanada

Québec - Qeveria Legault depoziton projekt-ligjin për “mbrojtjen” e frëngjishtes

  • Published in Kanada

Simon Jolin-Barette, Ministri përgjegjës për frëngjishten, ka depozituar dje në parlamentin provincial projekt-ligjin 96 që synon ta bëjë gjuhën e Molierit "të vetmen gjuhë zyrtare dhe gjuhë të përbashkët në Québec".

Në tekstin e projektit prej 100 faqesh, qeveria Legault propozon disa ndryshime në Kartën e Gjuhës Frënge të vitit 1977 (Ligji 101) me qëllim konsolidimin e statusit të frëngjishtes “në të gjitha sferat e shoqërisë”. Sipas qeverisë, kjo reformë ishte bërë e nevojshme, për shkak reduktimit vitet e fundit. të përdorimit të frëngjishtes në provincë, kryesisht në rajonin e Montrealit.

Gjatë një konferencë për mediat së bashku me Ministrin Jolin-Barrette, Kryeministri François Legault, në dukje i emocionuar, e argumentoi iniciativën e qeverisë që kryeson, si një iniciativë të domosdoshmë që synon të garantojë mbijetesën e kombit të Québec-ut

Projekt-ligji 96 artikulohet kryesisht rreth katër objektivave: afirmimi i frëngjishtes si gjuha e vetme zyrtare dhe e përbashkët në Québec; forcimi i statusi të saj në të gjitha sferat e shoqërisë; shndërrimi i institucioneve shtetërore në shembull par excellence të përdorimit të frengjishtes; krijimi i një strukture qeveritare neutrale dhe solide që do t’i dedikohet mbrojtjes së frëngjishtes.

Simon Jolin-Barette

Për realizimin e ketyre objektivave teksti parashikon masat si më poshtë:

-Qeveria synon të përfshijë në Kushtetutën e vitit 1867 - Kushtetuta Kanadeze - "njohjen e kombit të Québec, si dhe të frëngjishtes si e vetmja gjuhë zyrtare dhe e përbashkët në provincë";

-Krijimi i një ministrie te posaçme për gjuhën frënge për të realizuar administrim dhe zbatim më efikas të politikave përkatëse;

-Krijimi i postit të një komisioneri të posaçëm të gjuhës frënge, i cili do të shqyrtojë ankesat dhe do raportoje rregullisht mbi situatën gjuhësore në Québec. Emërimi i tij do miratohet nga dy të tretat e deputetëve të Asamblesë Kombëtare;

-Suprimimi i Këshillit Superior të Gjuhës Frënge dhe forcimi i mandatit të Office québécois de la langue française (OQLF);

-Frëngjishtja bëhet gjuha zyrtare e punës e aparatit shtetëror në Québec;

-Administrata, përfshirë bashkitë, do ketë detyrim përdorimin ekskluzivisht të gjuhës frënge në komunikimet e saj me shkrim dhe me gojë me qytetarët.

-Përqindja e vendeve të disponueshme në kolegjet anglofone (CÉGEP) nuk mund të jetë më shumë se 17.5% e vendeve të përgjithshme në rrjetin e kolegjeve.

-Testi uniform i frëngjishtes do të jetë i detyrueshëm për të gjithë nxënësit që flasin anglisht në kolegje, përveç atyre që kanë përfunduar studimet e tyre fillore dhe të mesme në anglisht;

-Në tabelat dhe afishet e dyqaneve dhe bizneseve duhet të "mbizotërojë qartë" frëngjishtja;

-Kompanitë me 25 deri në 49 të punësuar, do t'i nënshtrohen rregullave të Ligjit 101 dhe duhet të pajisen me çertifikatën përkatëse (certificat de francisation). Bizneset e regjistruara në nivel federal, të tilla si bankat, gjithashtu do t'i nënshtrohen Ligji 101 (Karta e Gjuhës Frënge).

-Bizneseve gjithashtu do t'u kërkohet të ofrojnë shërbim në frëngjisht. Për ketë qëllim, do parashikohen dhe procedura ankimore për qytetarët që nuk do shërbehen në frëngjisht;

-Bashkitë që kanë status dygjuhësor do ta humbin këtë privilegj nëse anglofonët do jenë më pak se 50% e numrit të përgjithshëm të rezidentëve. Sidoqoftë, këshillave u garantohet e drejta e miratimit të një rezolute për ta mbajtur këtë status;

-Edukimi në frëngjisht i emigrantëve do të administrohet nga një institucion i vetëm, “Francisation Québec” dhe frengjishtja do jetë gjuha e tyre e integrimit.

Qeveria ka parashikuar një buxhet 104 milion dollarë (që do të shpenzohet në 5 vjet) në mbështetje të zbatimit të këtij projekt-ligji, ndërsa konsultimet dhe shqyrtimi i hollësishëm i projektit do të zhvillohen në sesionin parlamentar të vjeshtës.

©Flasshqip.ca