Kanada

Kanada: Facebook bën Mea Culpa dhe jep garanci për integritetin e zgjedhjeve para deputetëve federalë

  • Published in Kanada

Të shqetësuar për integritetin e zgjedhjeve në vend, deputetë federale të të gjitha krahëve politikë, i kanë bombarduar me pyetje perfaqësuesit e gjigandit të mediave sociale Facebook, gjatë një seance dëgjimore dje paradite në Ottawa, përpara Komisionit për aksesin e informacionit, mbrojtjen e të dhënave personale dhe etikën.

Ka qenë Kevin Chan, drejtori i politikave publike të Facebook Canada, i cili në Dhomën e Komunave, përpara të zgjedhurve nga populli, u ka kërkuar ndjesë të thellë publike rreth 622 000 kanadezëve të prekur nga afera e Cambridge Analytica, aferë të cilën ai e ka konsideruar “shkelje e rëndë e besimit ndaj përdoruesve të rrjetit”. Procesi i vënies në dijeni të personave të prekur po vazhdon, por përfaqësuesi i Facebook ka pranuar që alarmi duhej dhënë kohë më parë, sepse vëte kompania ishte në dijeni të problemit prej dy vitesh.

Është e ditur tashme, që Cambridge Analytica, të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve nga vende të ndryshme, i ka përdorur pa autorizim për qëllime politike. Në rang vendi në Kanada numërohen rreth 23 milionë përdorues ndërsa në rang botëror, më shumë se dy miliard.

Sipas Radio Canada, që i referohet Komisarit për mbrojtjen e jetës private, Daniel Therrien, shifra e personave të prekur nga skandali, është e tillë që në se të dhënat do kishin rënë në duar të këqia, kjo mund të ndikonte potencialisht zgjedhjet në vend. Ky i fundit po zhvillon ndërkohë hetime të plota mbi skandalin në fjalë.

Preokupimi kryesor i deputetëve në seancën e pyetjeve ka qenë integriteti i zgjedhjeve të ardhshme, sepse është provuar në të kaluarën, sipas tyre, pakujdesia e Facebook, si pasojë e të cilës, disa aktorë të caktuar kanë mundur të ndikojnë zhvillimet zgjedhore përmes qarkullimit të lajmeve të rreme.

Por përfaqësuesi i Facebook Canada i ka siguruar të zgjedhurit se tashme, qysh pas zgjedhjeve presidenciale në USA, kompania e tij po ndjek një politikë proaktive përmes identifikimit të shpejtë dhe mbylljes së profileve të rreme. Një gjë e tillë, sipas tij, u bë me zgjedhjet në Francë, Gjermani e së fundmi në Itali, procese gjatë të cilavë u identifikuan dhe mbyllën me dhjetëra mijëra profile fallco.

Nga Londra, ku ndodhet në vizitë, Kryeministri Trudeau ka tërhequr vëmendjen për përgjegjësinë që duhet të mbajnë rrjetet sociale dhe nuk ka perjashtuar mundësinë që, sikurse BE, edhe Kanadaja ta forcojë akoma më shumë me ligj mbrojtjen e të dhënave personale, që është në fakt edhe mbrojtje e procesit demokratik.

Burimi: Radio Canada