Kanada

92 vjetori - Një ditëlindje ndryshe nga tradita për Mbretëreshën Elisabeth II

  • Published in Kanada

Mbretëresha Elisabeth II e Britanisë së Madhe, njëherazi dhe Kryetare e Shtetit Kanadez, festoi dje 92 vjetorin në një mënyre krejt të veçantë. Për nder të saj mbrëmë u organizua në Royal Albert Hall në Londër një koncert me një plejadë yjesh, mes të cilëve edhe Sting e Tom Jones.

Në hyrje të spektaklit, përpara se Mbretëresha dhe familja e saj të shfaqeshin në tribunën mbretërore, Tom Jones këndoi këngën e tij të mirënjohur It’s Not Usual. E më pas mbi skenë u ngjitën me radhë, Australiania Kylie Minogue, grupi Jug-Afrikan Ladysmith Black Mambazo, Xhamajkani Shaggy, Ontarieni Shawn Mendes dhe Anglezët Craig David, Jamie Cullum dhe Sting. Bashkë me ta edhe yje të tjerë nga teatri dhe kinematografia.

Në spektaklin për nder të ditëlindjes së Mbretëreshës asistuan edhe Princi Charles me bashkëshorten dhe dy djemtë si edhe Kryeministrja Britanike Theresa May.

Zakonisht Mbretëresha e ka festuar ditëlindjen e saj gjithmonë privatisht, por kësaj radhe duket se hoqi dorë nga tradita. Më herët gjatë ditës së djeshme, evenimenti u përshëndet me 41 të shtëna me top në Hyde Park dhe 62 të tjera në Kullën e Londrës. Gjatë ndërrimit të rojeve në kështjellën e Windsor-it, Fanfara ushtarake ka interpretuar gjithashtu “Happy birthday to you”.

E lindur më 21 prill 1926, Mbretëresha Elisabeth II është monarkja me kohëzgjatjen më të madhe në botë në fron. Plot 66 vjet. Ajo u bë mbretëreshë në moshën 25 vjeçare, pikërisht më 6 shkurt 1952, pas vdekjes së babait të saj George VI, ndërsa kurorëzimi i saj në fron u zhvillua më 2 qershor të të njëjtit vit në katedralen e Westminster-it.

Trashëgimtari i fronit te saj është Princi Charles, i cili të premten mori zyrtarisht kryesimin e vendeve të Commonwealth-it, pjesë e të cilit është edhe Kanadaja. Së fundmi, Mbretëresha u dorëhoq nga ky funksion që e mbante qysh nga viti 1952. Megjithatë, ajo vazhdon të ushtrojë pjesën më të madhe të funksioneve të saj zyrtare, ndërsa bashkëshorti i saj 96 vjeçar, Princi Philip, u tërhoq përfundimisht nga jeta publike verën e kaluar.

Burimi: Radio Canada