Kanada

Zjarret në pyje: Ontario shpall gjendjen e emergjencës në Veriperëndim

  • Published in Kanada

Ministria e Zhvillimit Verior, Minierave, Burimeve Natyrore dhe Pyjeve të Ontarios ka shpallur dje (14 Korrik 2021) me dekret gjendjen e emergjencës për të gjithë zonën Veriperëndimore të provincës për shkak të rritjes së konsiderueshme të zjarreve aktive në pyje. Dekreti lejon ministrinë të marrë masa të jashtëzakonshme për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe mbrojtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë.

“Jam duke e vëzhguar situatën nga afër dhe ministria ime po bën gjithçka mundet për të mbrojtur njerëzit dhe pronat në rajon”, i deklaroi Radio-Canada Greg Rickford, Ministri ontarian i Zhvillimit Verior, Minierave, Burimeve Natyrore dhe Pyjeve.

Ka hyrë në fuqi ndërkohë ndalimi i ndezjes së zjarreve për pjesën më të madhe të Veriperëndimit dhe gjithashtu lëvizja e qytetarëve është e kufizuar në tokat pranë kurorës pyjore. Që nga mëngjesi i djeshëm (14 Korrik 2021) numërohen 90 zjarre aktive në Veri të Ontario, 80 prej të cilave në Veriperëndim.

Dean Owen

Komunitetit autokton Pikangikum, që jeton rreth 100 km në veri të Liqenit të Kuq, synon të evakuojë 800 banorë të rrezikuar Aty u shpall gjendja e jashtëzakonshme qysh më 12 Korrik në mbrëmje me qëllim marrjen zyrtarisht të ndihmës nga qeveria provinciale dhe ajo federale.

Sipas Shefit të Komunitetit Pikangikum, Dean Owen, më shumë se 350 banorë, kryesisht fëmijë, të moshuar dhe njerëz me probleme të frymëmarrjes, janë evakuar tashmë me avionë të Ushtrisë Kanadeze sëbashku me banorët e komuniteteve autoktone Poplar Hill dhe Deer Lake. Të zhvendosurit me ndihmën e ushtrisë janë strehuar tashmë në Thunder Bay, Kapuskasing, Cochrane, Dryden e Cornwall. Bashkia e Grand Sudbury është deklaruar gjithashtu e gatshme të ofrojë strehim dhe kujdes.

©Flasshqip

Fotot: Amanda Sainnawap, Radio-Canada/Miguel Lachance, Ushtria Kanadeze.