Toronto: Mësohet identiteti i të dyshuarit si autor i masakrës me furgon
- Published in Kanada
Bilanci i fundit i viktimave 10 persona
Sipas burimeve zyrtare, i arrestuari i dyshuar si autor i maskrës me furgon që ndodhi sot në drekë në Toronto pranë kryqëzimit Yonge dhe Finch ku humbën jetën 9 persona, nuk ka lidhje me grupe terroriste të organizuara. Të njëjtat burime i kanë bërë të ditur CBC-Radio Canada që ky individ nuk bën pjesë në listat e atyre që mund të përbenin rrezik për sigurinë kombëtare.
Ndërkohë është mësuar dhe identiteti i tij. Ai quhet Alek Minassian, 25 vjeç, me origjinë nga Richmond Hill, lagje e Bashkisë Vaughan që ndodhet në veri të Torontos.
Pamje filmike që tregojnë momentin e arrestimit janë bërë publike. Ajo që binte në sy ishte gjakftohtesia dhe profesionalizmi i agjentit të policisë që ka kryer ndalimin. Ky i fundit, në kushtet e mbrojtjes legjitime edhe mund të kishte qëlluar mbi Alek Minassian i cili mbante diçka që nuk dallohej mirë në duar. Motivet e aktit ende nuk dihen. Hetimi policor vazhdon me intensitet.
Gazetarë të specializuar në kronikën e zezë kanë vlerësuar faktin që i dyshuari është ndaluar i gjallë sepse ky fakt do të ndihmojë sipas tyre edhe zbardhjen e të vërtetës deri në fund. Njoftohet gjithashtu që bilanci i viktimave ka shkuar 10 dhe 5 nga 15 të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Drejtuesi i furgonit Alek Minassian
@FlasShqip.ca












