Toronto: Cilat janë viktimat e sulmit mizor me furgon?
- Published in Kanada
Ishte 10 numri total i viktimave që humbën pardje jetën në veri të Torontos, në masakrën e rrugës Yonge. Deri tani është dhënë shumë pak informacion mbi identitetin e viktimave dhe vetëm një emër është bërë publik.
Sipas Radio Canada, kryeprokurori i Ontarios, Dirk Huyer, ka pohuar që prioriteti i zyrës së tij tashmë është identifikimi i viktimave, duke nënvizuar megjithatë që mund të duhen ende disa ditë deri sa të behet e ditur lista e plotë zyrtare. Fillimisht identiteti i tyre duhet të konfirmohet nga familjarët.
Sipas një informacioni të dalë nga burime të Policisë së Torontos, shumica e viktimave janë femra. Mosha e tyre varion nga 20 në 80 vjeç, ka deklaruar hetuesi Graham Gibson.
Ndërkohë, shumë media koreano-jugore kanë raportuar që dy shtetas nga Koreja e Jugut kanë humbur jetën, informacion ky i konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut në Twitter. Gjithsesi ky informacion mbetet për momentin i paverifikuar në mënyrë të pavarur njofton Radio Canada.
Ambasada e Jordanisë ka deklaruar gjithashtu që një shtetas i këtij vendi ka humbur jetën në sulmin mizor nga furgoni i drejtuar prej 25 vjeçarit Alek Minassian, ndaj të cilit tani rëndojnë të paktën 10 akuza për vrasje me paramendim. Po kështu, një studente e Kolegjit Seneca duket se bën pjesë në listën e viktimave.
Anne-Marie D'Amico (Facebook)
Deri tani është bërë e mundur të identifikohet zyrtarisht vetëm një person. Ka qenë kompania e investimeve Invesco që ka konfirmuar dje vdekjen e njërës prej anëtareve të stafit gjatë sulmit. Emri i saj është Anne-Marie D’Amico. Nga rrjeti social Facebook mediat kanë siguruar një foto të vajzës fatkeqe, e cilesuar nga punëdhënësi si një person që “e donte jetën, pëlqente udhëtimet e që jepte edhe kontribut vullnetar”. Ndërsa familjarët e saj e kanë përshkruar si “njeri të dhimbsur që mendonte gjithmonë për lumturinë e të tjerëve”.
Burimi: Radio Canada












