Kanada

Protestues në Ontario detyrojnë kryeministrin Trudeau të anulojë një takim elektoral

  • Published in Kanada

Kryeministri liberal Justin Trudeau u detyrua të anulojë sot një takim të planifikuar në Bolton të Ontarios për shkak të pranisë së rreth 100 protestuesve, që të irrituar po kundërshtonin vaksinimin e detyruar, mbajtjen e maskës dhe pasaportën e vaksinimit.

Ka qenë fillimisht Xhandarmëria Mbretërore Kanadeze që i kërkoi personelit dhe gazetarëve të hipnin përsëri në autobusin e fushatës. Takimi që ishte planifikuar të fillonte në orën 5 pasdite u shty fillimisht për dy orë dhe më pas u anulua.

Pas grumbullimit të një numri të madh qytetarësh që po manifestonin duke shprehur zemërimin e tyre ndaj qeverisë dhe kryeministrit Trudeau, u dërguan fillimisht forca të Policisë së Provincës së Ontarios, por numri i policëve të pranishëm nuk u konsiderua i mjaftueshëm për ta kontrolluar turmën, mes të cilës kishte dhe fëmijë, ndërkohë që pritej mbërritja e kreut liberal për të mbajtur një fjalim.

Më parë gjatë ditës edhe në Nobleton Justin Trudeau u përball me një turmë të irrituar protestuesish të cilët sapo e panë atë të zbriste nga autobuzi i intensifikuan akoma më shumë thirrjet e tyre kundër kryeministrit liberal i cili në mëngjes u zotua të akordojë 1 miliardë dollarë për zbatimin e politikës së pasaportës vaksinale nga provincat.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: La Presse Canadienne/Sean Kilpatrick